80-vjetori i Çlirimit, QKLL konferencë shkencore mbi muzetë dhe shtëpitë-muze të Luftës

29 Nëntor, 2024 - 3:30 pm

Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, është zhvilluar në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit konferenca shkencore rreth “Muzeve dhe shtëpive muze të luftës”. Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ushtarake dhe QKLL. Konferenca solli një analizë të thellë mbi muzeumet dhe shtëpitë muze të luftës, si dhe trashëgiminë e çmuar të luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

Disa nga temat e diskutuara ishin, “Historia e muzeve të ushtrisë” nga studiuesi ushtarak Sali Onuzi; “Historia e muzeve të luftës dhe shtëpive muze në kryeqytet” nga Andrea Llukani; “Muzetë e luftës në rrethin e Tepelenës” nga Bashkim Qeli; “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në ish-pavijonin e Muzeut Historik Kombëtar” nga Ledio Xhoxhi; “Spitalet partizane” nga Spiro Nika; “Heroi i Popullit, Mustafa Matohiti” nga Maringlen Abedini; “Muzetë e luftës në rrethin e Gjirokastrës” nga studiuesi ushtarak Jorgo Qirko.

Pas çdo kumtese, u zhvilluan diskutime dhe pyetje nga të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Pjesëmarrësit patën mundësinë të thelloheshin në historinë e luftës dhe të kujtojnë sakrificat e shumta për lirinë e vendit tonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme