17 Tetor, 2020 - 6:27 pm
Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme për vitin 2021 i janë shtuar edhe 9 asete të reja nga regjioni i Prizrenit. Regjistri i listës për këtë vit është definuar dhe përmban propozimet dhe vlerësimet përkatëse nga institucionet dhe palët e autorizuara me ligj për këto propozime.
Qendra Rajone për Trashëgimi Kulturore në Prizren në përmbushje të detyrimeve ligjore, gjatë procesit të inventarizimit, dokumentimit dhe vlerësimit për vitin 2021 ka propozuar 9 (nëntë) astete për tu përfshirë në regjistrin e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme në kategorinë arkitekturore.
Të gjitha asetetet nga rajoni i Prizrenit që i janë propozuar Komisionit Profesional Shqyrtues të Kërkesave dhe Propozimeve për Përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme janë aprovuar dhe Lista ka marr miratimin e Ministres së Kulturës znj. Vlora Domoshi.
Disa nga asetet, të cilat janë përfshirë këtë vit si propozime të reja në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme nga rajoni i Prizrenit janë: Shkolla e vjetër e fshatit Mushnikovë; Kompleksi i Xhamisë së vjetër në fshatin Leskovec; Kompleksi i Sarajit të vjetër; Ish hotel Selaniku (strehimorja e vjetër e grave); Isha Hotel Andi (Qendra Kulturore Hebraike); Shtëpia e familjes Rada; Koji i vjetër në Rahovec; Shtëpi guri e familjes Hoxha në fshatin Zhur, si dhe Rrënojat e xhamisë së vjetër në fshatin Shkozë të Malishevës.
Aktualisht procesi i vlerësimit është përmbyllur me procedure të brendshme administrative në MKRS për publikim dhe shpallje me akt administrativ, thekson drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha.
Drejtori i këtij institucioni ka falënderuar të gjitha palët e angazhuara, në çfarëdo forme, në debatin dhe procedurat tjera të aprovimit të listës, si zërat e opinionit publik, personat fizik të përfshirë në cilësi të ndryshme në këtë proces, e me theks të veçantë punonjësit profesional të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për përmbylljen me sukses të këtij angazhimi./ KultPlus.com