23 Janar, 2019 - 12:16 pm
Ditë më parë, në rrjete sociale qarkulloi një video ku shihet se si një banor i fshatit Buqan të Pejës hoqi tabelën me emrin e një rruge të këtij fshati, “At Luigj Palaj”.
Pas publikimit të pamjeve, Prokuroria Themelore e Pejës kishte reaguar duke autorizuar policinë që personin e shfaqur në video ta shoqërojë në polici për intervistim.
Pas këtyre pamjeve, ka reaguar edhe avokati Arbër Rrustaj dhe familja e Armend Gashit, djalit që shihet në videoincizim.
Në një letër të gjatë, familja dhe avokati kanë sqaruar se Armend Gashi me heqjen e tabelës njoftuese nuk ka dashur të nxisë urrejtje, përçarje.
“Kur Armend Gashi e ka hequr tabelën njoftues nuk ka dashur që të nxisë ndjenjën e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar dhe etnik dhe të përhapë publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare “, këtë fakt e dëshmon vetë fakti se Armendi jeton në një zonë ku jetojnë njerëz me fe të ndryshme, me të cilët shoqërohet, dhe asnjëherë nuk ka shfaqur ndonjë veprim me të cilin do të kishte shkaktuar urrejtje ndër-fetare. Arsyeja e cila e ka shtyrë që ta heq tabelën njoftuese, është sepse në atë rrugë ku ka qenë e vendosur tabela njoftuese kanë rënë katër (4) Dëshmorë të Kombit, të cilët ishin të afërm të Armendit, dhe ai është ndjerë shumë keq kur ka parë që nuk është emri i tyre aty”, thuhet në letrën e familjes dhe avokatit Rrustaj.
Familja dhe avokati i Armend Gashit kanë kërkuar falje te ata të cilët janë ndier të fyer me veprimin e djalit të tyre.
“Të gjithë njerëzit të cilët jetojnë në fshat dhe në fshatrat përreth, dhe në tërë Republikën e Kosovës, të cilët janë ndjerë te fyer me atë veprim, ju kërkojmë falje për këtë keq informim dhe se në këtë çështje kemi pasur keqkuptim të veprimit të tij, i cili konsistonte në dhënien e përparësisë atyre që dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit tonë që jetonin në atë fshat, por gjithmonë duke mos pasur si qëllim nxitjen e urrejtjes”, thuhet tutje në letër./ kallxo.com