15 Shtator, 2018 - 11:39 am
Sipas planifikimeve të cilat janë bërë nga Task Forca “Ta pastrojmë Gjilanin”, me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve komunale, Gjykatës, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, FSK-së, shkollave fillore e të mesme, bashkësive fetare, ndërmarrjeve publike, shëndetësisë primare e regjionale, organizatave rinore, veteranëve, operatorëve privat dhe qytetarëve të shumtë, sot në mëngjes ka nisur aktiviteti për pastrimin e gjithë territorit të Gjilanit.
Sipas njoftimit për media të Komunës së Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri para turmës së mbledhur në sheshin qendror “Agim Ramadani” ka thënë se në javën e parë do të bëhet vetëm pastrim dhe grumbullim të mbeturinave.
“Javën e ardhshme do të punojmë për mbjelljen e drunjve dekorativë dhe gjelbërim të hapësirave nëpër pjesë të ndryshme të qytetit. Së bashku do të punojmë vazhdimisht edhe për ruajtjen e ambientit në të ardhmen. Sot ky aksion do të nis edhe në lagje dhe fshatrat e Komunës sonë, përmes këshillave të fshatrave, bashkësive fetare dhe banorëve nëpër lokalitetet atje”, ka thënë kryetari Haziri.
Për ndryshe, besohet se në qytetin e Gjilanit sot janë duke pastruar afro 10 mijë persona, që nga shkollat me afro 6 mijë nxënës e mësimdhënës, rreth 500 mjekë, rreth 300 shërbyes civilë, rreth 500 punëtorë të ndërmarrjeve komunale, afro 500 persona nga organizimi i bashkësive fetare, pastaj vullnetarë të shumtë, OJQ, etj. / KultPlus.com