Agim Bahtiri kërkon rrënimin e objekteve qindra vjeçare të Mitrovicës

2 Mars, 2019 - 10:59 pm

Si rrallë kund të botë, në Kosovë në 20 vitet e fundit ka ndodhur degradimi i objekteve të vjetra e historike, të cilat janë edhe me ligj të mbrojtura. Madje në shumë raste ato janë dëmtuar nga vet shteti. Kështu po tentohet të ndodhë edhe këto ditë në Komunën e Mitrovicës. Mirëpo në këtë qytet kësaj radhe nuk po tentohet nga ndonjë qytetar apo biznes që të dëmtojë objektet e mbrojtura. Së fundmi, më saktësisht më 6 shkurt të këtij viti, kërkesë me shkrim për të rrënuar dy objekte që janë edhe në listën e trashëgimisë, ka bërë kryetari komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

I pari i këtij qyteti po kërkon që të rrënohen objektet qindra vjeçare për t’i zëvendësuar ato me ndërtime të reja.

Sipas zyrës së kryetarit të komunës së Mitrovicës, objekti i “Armatës” dhe “Posta e Vjetër”, të cilat kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme, po paraqesin pengesë në realizimin e objektivave të komunës. Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar dokumentin me të cilin kryetari Agim Bahtiri i ka kërkuar Zyrës rajonale të trashëgimisë, që të heq objektet në fjalë nga mbrojtja e përkohshme, duke mundësuar kështu rrënimin e tyre dhe fillimin e ndërtimit të objekteve të reja.

“Meqense Komuna e Mitrovicës në këtë vit kalendarik, ka filluar me hartimin e Planit Zhvillimor Komunal konform ligjit për Planifikimin Hapësinor 04/L-174, plan i cili përcakton synimet afatgjata të zhvillimit të Komunës, destinimin e sipërfaqeve dhe prioritetet strategjike, Komuna e Mitrovicës e sheh pengesë ish objektin e “Armatës” dhe objektin “Posta e Vjetër”, të cilat për momentin kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme. Gjatë hartimit të PZHK, statusi i tyre interfenon në destinimin e sipërfaqeve gjë që paraqet penges me objektivat e Komunës për periudhën 8 vjeçare sa hatorhet ky plan, andaj kërkojmë nga zyra rajonale për trashëgimi, që t’i largoj këto dy objekte nga mbrojtja e përkohshme dhe t’i hapet rrugë zhvillimit të qytetit me objekte të reja, destinimi i të cilave përcaktohet nga Plani Zhvillimor Komunal”, thuhet në kërkesën e zyrës së kryetarit Agim Bahtiri.

Objekti i “Postës së Vjetër” figuron në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Objekti në fjalë figuron si pjesë e historisë që nga viti 1920 dhe në listën e objekteve me mbrojtje kulturore është e 4143-ta me radhë. Ndërkaq objekti i “Armatës”, aktualisht nuk figuron në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, ani pse vite më parë figuronte në këtë listë në mesin e mbi 1500 objekteve në Kosovë. Ky objekt i njohur si ndërtesa e  “Armatës” ishte e listuar me numër 1159 të këtyre aseteve.

Objekti apo shtëpia e “Armatës” në Mitrovicë ka qenë kazermë e ish ushtrisë Jugosllave. Pas luftës së fundit në Kosovë, në të njëjtin objekt ka qenë e vendosur komanda e Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK), si pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si paraardhëse e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndaj rrënimit të këtij objekti, ishte polemizuar shumë edhe në zgjedhjet komunale të vitit 2017 në Mitrovicë.Atëherë kryetari aktual Agim Bahtiri kishte deklaruar se do ta rrënojë këtë objekt për të ndërtuar një parking për qytetarët e Mitrovicës. Qytetarë nga Mitrovica si atëherë edhe tani po shprehin kundërshtimin e tyre në lidhje me rrënimin e këtyre objekteve kulturore. Ndaj kësaj iniciative ata kanë paralajmëruar edhe protesta.

Lulzim Hoti nga organizata joqeveritare “7Arte” ka thënë për FaktePlus se komuna jo që nuk duhet të kërkojë rrënimin e këtyre objekteve, por duhet të angazhohet e kontribuojnë në ruajtjen e objekteve që edhe ashtu kanë mbetur të pakta në qytetin e Mitrovicës.

“Komuna e Mitrovicës do ishte dashur që të fokusohej dhe investonte në fasadat e këtyre objekteve dhe të ruante trashëgiminë e saj prej një qyteti me histori të pasur e me synime për të qenë qytet model e sa më evropian. Qytete të shumta evropiane veç e kanë ruajtur dhe vazhdojnë ta ruajnë trashëgiminë e tyre, e ne nuk do duhej t’i vetshkatrronim edhe këto pak objekte unike që kanë mbetur”, është shprehur Hoti.

Për faktin se objektet e trashëgimisë kulturore e historike nuk po mbrohen në Mitrovicë dhe disa prej tyre u shkatërruan, patën reaguar dy vite më parë edhe Rrjeti i organizatave kulturore të Mitrovicës, si dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile në Mitrovicë.

Këto organizata shprehen shqetësimin e thellë ndaj rrënimit dhe degradimit të vazhdueshëm që iu bëhet trashëgimisë kulturore në këtë komunë, duke kujtuar se gjatë viteve të pasluftës në këtë qytet janë bërë rrënime të vazhdueshme të objekteve me vlera arkitektonike si dhe historike./KultPlus.com

Të ngjajshme