27 Qershor, 2018 - 1:20 pm
Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” nga Prizreni dhe Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” nga Peja, do të kenë status të merituar ligjor. ShKA “Agimi” dhe AFA “Rugova” do të kenë status të veçantë në kuadër të Ligjit Nr. 04/L-164 për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe ansamblet tjera.
“Kjo iniciativë është në kuadër të prioriteteve të mia si ministër për avancimin e kornizës ligjore. Në MKRS veçse kemi filluar të angazhojmë një grup punues për Koncept Dokumentin që si procedurë do të jetë hapi i parë për plotësim-ndryshimin e Ligjit. Në këtë grup do të jenë anëtarë edhe nga një përfaqësues i këtyre dy shoqërive kulturore”, ka thënë ministri Gashi.
E tëra kjo vjen duke pasur parasysh kohën e gjatë të veprimit që nga themelimi i tyre e deri më tani, e si njëra edhe tjetra kanë mbi 7 dekada veprimtari e aktivitet artistik, i cili ka ruajtur, kultivuar e promovuar vlerat, traditën, veshjet e karakteristikat tona kulturore duke e pasuruar në vijimësi kulturën tonë në përgjithësi dhe duke përcjellë vlerat nga njëri brez tek tjetri./ KultPlus.com