Agroturizëm në Prezë, kombinim i natyrës me produktet bio

6 Shkurt, 2019 - 10:00 am

Një tjetër bujtinë i shtohet gamës së gjerë të ofertave në fushën e agroturizmit për të gjithë turistët shqiptarë e të huaj.

E vendosur në Prezë, vetëm 25 kilometra nga Tirana, kjo pikë agroturistike kombinon atraksionet turistike si kalaja e Prezës, me bukuritë natyrore të zonës dhe gatimet tradicionale e produktet bio.

Në këtë bujtinë, të ringritur me mbështetjen e programit kombëtar për zhvillimin rural, ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca.

Qemal Alushi, sipërmarrësi i kësaj iniciative tregon se biznesin e ka filluar në vitin 2000 me mbjelljen e vreshtave dhe ndërtimin e një kantine vere, për ta kthyer tashmë, me mbështetjen e AZHBR-së, në një bujtinë.

“Nga viti në vit kemi bërë nga një ndërhyrje. Me mbështetjen e AZHBR-së qe një ndërhyrje shumë e madhe dhe shumë e plotë dhe sot themi që kemi bërë diçka që ia vlen edhe për ne, edhe për zonën, edhe për të gjithë. Është krijuar një ambient i këndshëm”, – tha Qemal Alushi.

Kryeministri Rama e vlerësoi iniciativën e Alushit si një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ata fermerë që në tokën e tyre prodhojnë më shumë sesa vetëm për vete, por edhe nga emigrantë, të cilët kursimet e punës së tyre mund t’i investojnë në atdhe, investime që favorizohen nga një sërë lehtësish fiskale.

“Përveç paketës së lehtësimeve të taksave, tani 5% tatim fitimi, por edhe me TVSH-në 6% siç është për hotelet me 5 yje, por, siç ju kemi dhënë ju, jemi shumë të angazhuar t’i japim mbështetje financiare direkte të gjithë atyre që duan të bëjnë transformime të tilla që shkojnë në drejtim të promovimit të zonave, të bukurive natyrore. Po shohim që ka gjithmonë e më shumë kërkesë dhe faktikisht, llogaria është shumë e thjeshtë, edhe për ata që janë në emigracion e që kanë një shtëpi në fshat, apo kanë një tokë, nëse ndërtojnë një agroturizëm, kanë më shumë të ardhura sesa çdo rrogë në emigracion”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Qemali, përveç punonjësve në biznesin e tij ka të angazhuar edhe fermerët e zonës me të cilët, siç shprehet ai, ka filluar të lidhë kontrata për të blerë produktet e tyre.

Falë edhe këtyre shembujve të suksesit, numri i fermerëve, të cilët aplikojnë për mbështetje nga AZHBR-ja është në rritje.

“Ky është efekt zinxhir. Në fillim, kur bëmë thirrjen e parë nuk patëm aplikime. Tani janë bërë edhe më shumë. Në gjithë këtë peizazh, gjithkush që ka një mundësi, ka më shumë sesa aq sa i duhet për të jetuar vetë, mund ta kthejë direkt në një bujtinë shtëpinë dhe pranë shtëpisë ndërton një agroturizëm dhe gjithçka ndryshon”, – u shpreh Kryeministri. /k.s/ ​KultPlus.com

Të ngjajshme