5 Qershor, 2023 - 7:00 pm
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike kanë botuar albumin ilustrativ shkencor “Art popullor në Kosovë” të autores Afërdita Onuzi, shkruan KultPlus.
Kjo vepër u botua në saje të ekspeditave të cilat autorja e librit i ka realizuar pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të cilat i dhanë mundësinë të njihej më mirë me me trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Kosovë e sidomos me gjinitë e ndryshme të artit popullor.
Në komunikatën e Akademisë së Shkencave thuhet se në parathënien e librit, Afërdita Onuzi shkruan se lidhjet e vazhdueshme kulturore, ekonomike, tregtare midis krahinave të ndryshme fqinjë të Kosovës me ato të Shqipërisë Veri- lindore që vazhduan të zhvillohen deri në vitet ’40-50 të Shekullit të XX, mundësuan kontakte e marrëdhënie nga më të ndryshmet , të cilat ndikuan ndjeshëm në mënyrën e jetesës së banorëve të qytetit të Kukësit dhe të disa fshatrave të tij.
“Ende dhe sot i kujtoj qilimat e Prizrenit dhe të Pejës, me të cilët mbuloheshin an e kënd dhomat e ndenjes dhe mjediset e tjera të banesave të këtyre familjeve, apo jastëkët e mindereve të qëndisur e të mbuluar me pëlhura të pambukta apo të mëndafshta e të zbukuruara me lloj-lloj qëndismash; mbulojat e shtratit dhe çarçafët e zbukuruar me qëndisje e punime me grep; djepat e arkat e gdhendura apo te zbukuruar me pikturim; tabakatë e ibrikët prej argjendi; mangallët prej bakri që shkëlqenin midis dhomave të ndenjes etj.
Veçanërisht nuk munda të harroj asnjëherë veshjet e grave sidomos ato që përdoreshin në raste ceremonish të ndryshme familjare. Mahnitëse në çdo aspekt ishin këmishët prej mëndafshi të zbukuruara me oje e qëndisje të ndryshme, jelekët e stolisur me fije ari, dimitë e bardha gjithashtu peri mëndafshi artificial të shoqëruara me këmbëza të zbukuruara me gajtanë të bërë me fije mëndafshi, ojet lloj-llojëshe që përdoreshin për të zbukuruar shamitë e lidhura prapa kokës e të modeluara në formën e kësulave dekorative etj., etj.”, – citohet të ketë thënë autorja e librit.
Vite më pas prof.dr. Onuzi bëri profesionin e etnologut dhe krahas ekspeditave të shumta në Shqipëri, në vitin 1979 bëri edhe një ekspeditë kërkimore në Kosovë për të parë nga afër Çarshinë dhe Pazarët e Vjetër në qytetet Prizren, Pejë, Gjakovë etj, dhe të vizitoi disa muze etnografikë të asaj kohe.
Në mënyrë të posaçme për realizimin e këtij botimi, është bërë një ekspeditë në vitin 2010, me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Onuzi ka bërë kërkime të tjera në terren si dhe fotografimin e një pjese të konsiderueshme objektesh, të cilat u fotografuan në Muzeun Etnografik të qytetit të Prizrenit, në atë të Gjakovës, të qytetit të Pejës dhe në mënyrë të veçantë në fondet etnografike muzeale të qytetit të Mitrovicës dhe të Prishtinës. Një pjesë tjetër i përkasin fondeve muzeale të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Afërdita Onuzi thotë se midis gjinive të ndryshme të artit popullor që u zhvilluan në Kosovë, artet e aplikuara u dalluan për larminë dhe pasurinë e madhe të shprehjes, për fushën e gjerë të përdorimit si dhe për manifestimin e fuqishëm të ndjesisë artistike.
“Përgjithësisht artet e aplikuara janë rezultat i një përvoje të pasur shekullore të krijuesve të ndryshëm në fshatra e në qytete, të cilët punonin kryesisht për plotësimin e nevojave vetjake ashtu dhe të mjeshtërve profesionistë në qytete, të cilët punonin me porosi për të plotësuar nevojat e shtresave të ndryshme qytetare por edhe pjesë veshjesh ceremoniale për banorët e fshatrave të krahinave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Akademisë.
Si çdo aspekt tjetër edhe kjo fushë e trashëgimisë popullore në Kosovë, është krijuar e zhvilluar varësisht nga kushtet ekonomike, sociale e kulturore të krahinave e qyteteve të ndryshëm. Pikërisht janë këto punime të cilat na informojnë për nivelin e zhvillimit të ekonomisë vendase, për masën e lidhjeve me tregun, për orientimin kulturor të qyteteve e fshatrave, për mënyrën e jetesës së tyre apo për shijet artistike të grupimeve shoqërore.
Objektet e artit popullor janë të shumta në lloje jo vetëm se krijuesit janë të shumtë por edhe për faktin se janë realizuar me materiale të ndryshme: në gur, në metal, në dru, lëkurë, baltë, tekstile prej leshi, mëndafshi e pambuku, qëndisje të ndryshme e punime me grep dhe se për realizimin e tyre janë aplikuar lloj- lloj teknika punimesh e zbukurimesh etj. Në pamundësi për të paraqitur të gjithë repertorin e këtyre punimeve, kësaj radhe janë zgjedhur disa ekzemplarë të realizuar në dru, në metal, disa tekstile, pjesë veshjesh dhe qëndisje të tjera e punime me grep./KultPlus.com