28 Maj, 2018 - 8:58 am
E ndërtuar në vitin 1950, e cila dikur funksionoi si Shtëpia e Armatës Serbe, objekti i Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri nuk është i njëjti më.
Eskavatorët kanë vazhduar edhe sot rrënimin e objektit të Qendrës së Kulturës këtu në Vushtrri. Kryetari ka thënë se do të bëjnë përpjekje që në projektin e rindërtimit të përfshihet vendosja e elementeve të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti në fasadën e jashtme e që janë guri dhe tulla.
Por, shoqëria civile po e kundërshton këtë veprim të Komunës, duke thënë se rrënimi ka qenë opsioni i fundit që është dashur të ndërmerrje për këtë ndërtesë.
Sipas tyre, do të duhej të kishte rinovim apo ndonjë mënyrë tjetër të adaptimit.
Ata kanë ngritur shqetësim se nga punimet mund të rrënohet edhe salla e teatrit.
Me vendimin për rrënim nuk po pajtohen as qytetarët.
Megjithtatë, kryetari Xhafer Tahiri, ka thënë se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, pasi në të kundërtën, Komuna do të kishte pësuar dëme të mëdha financiare.
Ai thotë se paraprakisht për këtë është konsultuar me Ministrinë e Kulturës dhe me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Por, ish-drejtoresha e Kulturës në këtë Komunë, Shpresa Rama, ka mohuar se kjo hapësirë ka qenë e planifikuar që të ketë banesa kolektive.
“Raporti i fizibilitetit dhe qëndrueshërisë që e patëm bërë, ka dalë që është objekt jostabil dhe është më ekonomike të rindërtohet. Ata kategorikisht s’e pranonin asokohe këtë version. Sot me nënshkrim të vet e rrënuan”, ka theksuar Rama.
I gjithë projekti për këtë Qendër do të kushtojë mbi 1 milion euro dhe pritet të përfudojë brenda vitit 2019./ KultPlus.com
https://video.gjirafa.com/koha?video=qendra-e-kultures-vushtrri