Albi Mall e sjellë botën më afër jush me shtatë brende të njohura botërore

14 Nëntor, 2018 - 4:38 pm

Gili Hoxhaj

Albi Mall sot bëri përurimin e pjesës shtesë, aty ku kanë zënë vend brendet më të njohura botërore, e dyqanet qysh në ditën e parë ishin të mbushura plot me konsumatorë, shkruan KultPlus.

Zara, Massimo dutti, Bershka, Stradivarius, Zara home, Oysho, Pull and Bear janë më afër se kurrë. Ato mund t’i gjeni tashmë në katin e parë dhe të dytë të Albi-Mall, ndërsa brenda tyre do të mund të gjeni shumëllojshmërinë e produkteve që u përgjigjen të gjitha kërkesave të konsumatorëve.

Shqipdona Geci është në mesin e shumë konsumatorëve që ka ardhur për të blerë produktet e brendeve të njohura botërore. Ajo aty ka gjetur produkte për të gjithë familjarët. Shqipdona Geci shprehet e lumtur që tashmë nuk do t’i duhet të udhëtojë botën për të pasur produktet e këtyre brendeve.

“Jam shumë e kënaqur me produktet dhe shërbimin, janë gjëra që i kemi pritur që shumë kohë. Të gjitha produktet që i gjeta këtu janë me standardin e njëjtë që i kam hasur edhe në Gjermani dhe Zvicër”, u shpreh ajo për KultPlus.

Noria Humolli tha se zgjerimi i Albi Mall ka ndikuar edhe në uljen e papunësisë ndërsa në anën tjetër kanë realizuar synimin që qytetarët e Kosovës, tashmë të mund të dalin jashtë kufijve vetëm për t’u relaksuar pasi që këto produkte mund t’i gjejnë të gjitha në një hapësirë të vetme.

“Hapësira e qendrës ka arritur hapësirën mbi 100 mijë metra katror dhe janë punësuar rreth 2 mijë e 500 punëtorë, kjo do të thotë se ndikon në zvogëlimin e papunësisë dhe gjithashtu u kemi sjellë konsumatorëve vende ku mund të bëjnë blerjen e brendeve më të njohura botërore, pa pasur nevojë të kalojnë kufijtë. Me këtë zgjerim, ne jemi duke e sjellë botën me afër jush dhe Albi Mall mbetet vendi i familjes suaj”, u shpreh Humolli në konferencën e mbajtur për media.

Drejtori për zhvillim të biznesit në Albi Group, Betim Humolli u shpreh për KultPlus se është një lajm i mirë që më në fund edhe brendet e Inditex Group janë prezentë dhe të hapura në Albi Mall dhe kjo tregon jo vetëm për një fuqizim të aspektit të zhvillimit ekonomik por edhe një integrim ekonomik i Kosovës në tregun evropian. Humolli tutje tha se kjo tregon që konsumatorët dhe qytetarët e Kosovës do të jenë shumë më të integruar jo vetëm në kuptimin e stilit të tyre të veshjes por edhe më gjerë.

“Para hapjes, para lëshimit të këtij aneksi të ri, të këtij projekti të ri të zgjerimit të vitit 2018 , në Albi Mall kanë qenë të punësuar rreth 1 mijë e 300 persona ndërsa tani me këtë zgjerim janë shtuar edhe 1 mijë e 200 punonjës të rinj. Kjo ndikon në zhvillimin ekonomik të Prishtinës dhe jo vetëm pasi që kemi të punësuar edhe nga komuna të ndryshme që punojnë për një numër të madh të trendëve botërore”, u shpreh Humolli.

Albi Mall i cili tanimë numëron rreth 200 dyqane, së shpejti do t’i shtohen edhe disa brende të tjerë të njohura botërisht si Burger king, New yorker, Boss, Armani Exchange, Ted bakwr./ KultPlus.com

Të ngjajshme