4 Prill, 2018 - 8:29 pm
Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe pjesë e Kuvendit të Kosovës, sot e ka kujtuar 50 vjetorin e vrasjes së aktivistit Martin Luther King Jr.
Kurti me një status në Facebook ka treguar pak për Luther King Jr, por edhe ka treguar se ai nuk ishte vetëm aktivist, por edhe universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.
Ky është statusi i Kurtit për këtë përvjetor.
Pesëdhjetë vjet më parë në Memfis të Tenesisë u vra veprimtari i shquar i çlirimit dhe i barazisë, Martin Luther King Jr.
Shumë fjalë nderimi janë thënë e do të thuhen për M.L. King Jr., e unë nuk dëshiroj të zgjatem. Veçse dëshiroj të theksoj dy elemente.
Dr. King shpesh përmendet si udhëheqës i lëvizjes për të drejta të barabarta civile, në një kohë kur afro-amerikanët jetonin të diskriminuar edhe ligjërisht. Mirëpo, të drejtat formale afro-amerikanët i mbërritën në vitet 1964-65. Çfarë bëri Martin Luther King Jr. atëherë, a u ndal? A u mjaftua ai me abrogimin e ligjeve diskriminuese dhe me arritjen e të drejtave formale për popullin e tij? Jo.
Martin Luther King Jr. në atë kohë planifikoi hapin e dytë të lëvizjes së tij, atë të rrugës drejt barazisë shoqërore e ekonomike. Pra, ai nuk mbeti thjesht një aktivist i të drejtave njerëzore, në kuptimin e dikujt të depolitizuar apo apolitik. Jo, ai ishte thellësisht politik. Nuk ishte moralizues, ishte organizator. Një ditë para se të vdiste, ai ishte pjesëmarrës në grevat dhe protestat e punëtorëve të pastrimit në Memfis, që ishin kryesisht afro-amerikanë. Por ai nisi të organizohej gjithnjë e më shumë edhe bashkë me punëtorët e të papunët e bardhë. Nuk u kufizua në një çështje të ngushtë përfaqësimi të një komuniteti, por u angazhua gjerësisht në shoqëri.
Pra, edhe pse sot njerëzit lexojnë pak, është mirë të dihet se MLK nuk ka qenë figurë politike njëdimensionale.
Ai ka qenë aktivist i të drejtave civile, por edhe veprimtar politik radikal.
Ai ka qenë pacifist dhe ithtar i mosushtrimit të dhunës ndaj asnjë njeriu, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrave të policisë për t’i ndalur marshimet paqësore që më pas kanë eskaluar në përplasje.
Ai ka qenë universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.
Ai ka qenë për të drejta formale e barazi ligjore, por kur e arriti këtë e vazhdoi betejën edhe për barazi përmbajtësore, shoqërore e ekonomike.
Ai ka qenë udhëheqës i afroamerikanëve, punoi e luftoi konkretisht për ta, por nuk kërkoi izolimin e tyre, përkundrazi punoi për ndërtimin e një lëvizjeje të shtresave të varfra, pavarësisht racës.
Ai ishte klerik i krishterë, që u frymëzua prej një besimtari hindu, siç ishte Gandhi, dhe bashkëpunoi me një mysliman, siç ishte Malcolm X. Dhe në lëvizjen e tij politike bashkëpunoi me njerëz të të gjitha feve e me ateistë. Ai nuk toleronte, ai bashkëpunonte. Bashkëpunimi ishte shumë më i mirë se toleranca.
E respektojmë kujtimin dhe traditën e Martin Luther King Jr., dhe e përkujtojmë me këtë citat të tijin: “Paqja nuk është thjesht mungesa e dhunës. Paqja është prania e drejtësisë”.