24 Nëntor, 2019 - 10:58 am
Arkeologët kanë gjetur artefaktet me mbishkrime në alfabetin e Elbasanit të shekullit të 17-të në fshatin Margaritovo të Ukrainës.
Nuk është vetëm ky lajmi ekskluziv që ka sjellë në Seminarin e 34-të Ndërkombëtar të Prishtinës për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqipe studiuesi ukrainas Aleksandër Novik, por edhe fakti se në ish-Perandorinë Ruse është ngulitur një diasporë e madhe shqiptare “fatkeqësisht e panjohur”, siç shkruan ai.
Aleksandër Novik e ka titulluar kumtesën e tij “Shqiptarët në Perandorinë Ruse në shekujt e 18-19-të: të dhëna të reja në fushën arkeologjike, historike dhe etnografike”.
Gjetja e artefakteve të alfabetit të Elbasanit të shekullit të 17-të në ish Perandorinë Ruse është jo pak befasues, sepse zbuluesi i parë i këtij alfabeti J.G. von Hahn ka thënë se “Alfabeti i Elbasanit nuk është përdorur vetëm në Elbasan dhe Berat, por edhe te tregtarët në mërgim”.
Ndërsa fakti që ky alfabet është përdorur edhe nga mijëra shqiptarë që kanë jetuar në territoret e Perandorisë Ruse, ka qenë i panjohur. Alfabeti i Elbasanit të shekullit të 17-të është një alfabet i veçantë me 54 shkronja. /medial.mk/ KultPlus.com