Alistair Campbell për Shqipërinë: Do të përfundoni duke e dashuruar po aq sa e dashuroj unë

1 Gusht, 2017 - 10:20 am

Mëngjesin e së martës kryeministri shqiptar Edi Rama, u ka uruar shqiptarëve një ditë të mbarë me shkrim të Alistair Campbell për Shqipërinë, botuar në mediet angleze, shkruan KultPlus.

Campbell, këtë shkrim të tij, e ka nis me disa pyetje të nxjerra nga ‘paragjykimet’ e shumta që u bëhen shqiptarëve. Pas kësaj ai ka vazhduar të u jep përgjigje një e nga një, dhe krejt në fund i ka këshilluar lexuesit që të shkojnë e ta vizitojnë Shqipërinë. Campbell, u ka premtuar lexuesve që do të përfundojnë duke dashuruar Shqipërinë ashtu siç e dashuron edhe vetë ai.

Po sjellim të plotë shkrimin e Alistair Campbell për Shqipërinë të botuar në ‘The New European’. Një paraqitje të jashtëzakonshme të vendit shqiptar, siç ka ditur vetëm ai ta bëjë duke përmendur shumë e shumë raste të këndshme që i kanë ndodhë.

“Nëse ende nuk keni prenotuar pushimet, provoni Shqipërinë. Askush nuk është penduar!

Ok, le t’i lëmë shakatë dhe steriotipet mënjanë… Shqipëria, a nuk është ky vendi ku është ngritur një statujë e komedianit Norman Ëisdom sepse ai ishte i vetmi perëndimor që shqiptarët kanë parë në kohën e televizionit bardhë e zi? A kanë me të vërtetë ndonjë qeveri atje apo vendi drejtohet drejtpërsëdrejti nga mafia? A është me të vërtetë si tek filmi i Liam Neeson, “Taken”? Drogë, prostituta, pengmarrje, trafikimin njerëzish… Askush që i ka trutë në vend, me siguri nuk do të donte të shkonte në një vend të tillë, apo jo?

Pikë së pari, përsa i përket krimit, si duke vrapuar herët në mëngjes apo duke shëtitur vonë në darkë, në vizitat e mia të shumta në këtë vend, nuk kam ndier kurrë as edhe një grimcë pasigurie. Siç Kryeministri Edi Rama, në mënyrë të famshme i ka thënë Boris Johnsonit, “nëse ka kriminelë shqiptarë në Londër, ata janë kriminelët tuaj, jo të mitë. A thonë amerikanët se mafia e Nju Jorkut është një problem amerikan dhe jo i tyri? Nuk e besoj”. Me këto fjalë ai ju përgjigj një prej kërcënimeve të Johnson, pjesë e fushatës së tij të pandershme të ndjekur gjatë referendimit për BE, kur ai gënjeu se një hordhi kriminelësh do të largoheshin nga Tirana, për t’iu bashkuar miliona turqve që do të zbarkonin në Britani.

Sa i përket Norman Wisdomit, është e vërtetë se ish-diktatori komunist, Enver Hoxha, ishte një fans i tij, pasi besonte që filmat e Ëisdomit, një Zot e di përse, ishin një paralele e luftës së klasave. Është gjithashtu e vërtetë se kur kombëtarja angleze e futbollit luajti në Tiranë në vitin 2001, Ëisdomi vizitoi qendrën stërvitore ku kamerat e zëna me filmimin e David Beckham, kthyen të gjitha objektivin drejt tij. E kur ai u ftua në fushë gjatë pushimit të pjesës së parë, Normani veshi një bluzë që mbante përgjysmë ngjyrat e Shqipërisë dhe në gjysmën tjetër ato të Anglisë. E ndonëse ishte një qytetar nderi i Tiranës, e Kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha mbati një eulogji prekëse në momentin e vdekjes së tij në moshën 95-vjeçare, shtatë vjet më parë, më duhet të gjej ende se ku ndodhet statuja e tij, çka më bën të besoj se ajo në të vërtetë nuk ekziston.

Lord Bajroni, është një tjetër figurë. Kam kaluar nëpër shumë hotele apo shtëpi që presin turistë, të “pagëzuara” me emrin e tij në shumë zona të vendit dhe kam parë imazhet e tij të veshur me rroba tradicionale shqiptare në shumë mure restorantesh. Poeti i ra kryq e tërthor vendit në fillim të shekullit XIX dhe shkruajti me dashuri për këta njerëz, që “nga veshja, pamja dhe mënyra e jetesës i ngjajnë malësorëve skocezë”, me ndryshimin se “malet e tyre dukeshin si ata të Kaledonisë (emri i Skocisë në kohën e Romës), por me një klimë pak më të butë”.
Pa dyshim, mund të duhet një kohë e gjatë për të rifarkëtuar trashëgimitë historike, por ndërsa po hyjmë në gusht, më lejoni të bëj një sugjerim për të gjithë ata që nuk kanë prenotuar ende pushimet e tyre… provoni Shqipërinë. Ia kam rekomanduar shumë njerëzve më parë, disa prej tyre vendosën që të dëgjojnë këshillën time dhe askush nuk është penduar.

Së pari, edhe me paundin e dobësuar nga Brexit, është përsëri lirë, krahasuar me shumë destinacione të tjera popullore në Europë, ku stërlina sot blen më pak se sa përpara se gënjeshtrat e Johnson/Farage/Dacre/Murdoch të fitonin. Së dyti, klima dhe ushqimi janë Mesdhetare. Sot, 32 gradë, me një fllad të lehtë të këndshëm. E treta, ndonëse për mua asnjë panoramë në botë nuk mund të mposhtë malësitë skoceze, Lord Bajroni kishte të drejtë kur shkruante se malet e Shqipërisë i afrohen shumë. Së katërti, mbeten disa plazhe fantastike të pashfrytëzuara. Së pesti, njerëzit janë vërtet shumë të sjellshëm dhe mikpritës, njëra prej arsyeve, mbështetja që i dhamë kosovarëve gjatë spastrimit etnik që ndërmori Serbia nën regjimin e Milosheçit, bën që të ekzistojë një simpati për britanikët.

Ryanair, Easyjet dhe kompani të tjera të ngjashme duhet ta marrin në konsideratë Tiranën, për të konkurruar me ato pak fluturime direkte që “British Airëays” bën çdo javë. Një problem luksi, por ndërrimi i avionëve në Vjenë e në Romë po bëhet pak i bezdisshëm për mua.

Më e rëndësishmja, është një vend që ndihet i ri dhe shpresëplotë, në një kohë ku shumica e Europës, e në veçanti Britania post-Brexit, mund të ndiejë gjithçka përveç rinisë dhe shpresës. Regjimi komunist përfundoi në dimrin e vitit 1990-91, një vit të plotë pas rënies së Murit të Berlinit, e është dashur pak kohë për të ndërmarrë hapat për t’u shndërruar në një demokraci të mirëfilltë dhe për të zhvilluar një ekonomi që përshtatet me pjesën tjetër të Europës dhe të botës. Por, energjia që gjallon në këtë vend është e prekshme. Është praktikisht një vend i të rinjve, me një prej popullsive më të reja në Europë, një trashëgimi e jetëgjatësisë së ulët gjatë kohës së regjimit brutal të Hoxhës.

Sa i përket përfshirjes sime personale në këtë vend, e cila daton 6-7 vjet, Edi Rama tregoi këtë histori në një darkë një javë më parë, ku mblodhi një grup ish-kryeministrash nga Europa, këshilltarë të Bankës Botërore, akademikë, organizata filantrope, ekspertë të zhvillimit dhe këshilltarët e tij të komunikimit, për të diskutuar planet për mandatin e tij të dytë, vetëm pak pas zgjedhjeve që e panë atë të fitonte një mandat dhe më të fuqishëm se ai i pari, katër vjet të shkuara.

Është e drejtë të thuash se Rama është një fans i madh i Laburistëve të Rinj, i politikave të Toni Blerit dhe e qasjes sonë ndaj strategjisë dhe komunikimit. E megjithatë, kur këshilltari i tij për komunikimin, Endri Fuga, për herë të parë më kontaktoi në faqen time të “Facebook” për të më pyetur nëse do të isha i gatshëm t’i këshilloja gjatë fushatës, fillimisht vendosa ta refuzoja me mirësjellje. Ai vazhdoi të këmbëngulte, e kur bëra gabimin që t’i thoja se mund të takoheshim herën tjetër që ai do të ishte në Londër, një taktikë klasike refuzimi, ai më tha se do të vinin menjëherë.

U takuam atëherë me liderin e opozitës, Rama, dhe Fugën në shtëpinë time. Ishte e pamundur për të mos i pëlqyer apo për të mos u kapur nga ambicja e Ramës për Shqipërinë dhe për Ballkanin në përgjithësi. Historia e jetës së tij ishte më interesante se e shumë politikanëve të tjerë, një ish-basketbollist që luante me kombëtaren e tij, një artist i kompletuar (ai shkarravit vazhdimisht gjatë takimeve dhe publikon veprat e tij rregullisht) dhe ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës. Është gjithashtu një rajon që më ka interesuar që prej konfliktit të Kosovës dhe vendosëm që të takoheshim në Tiranë, e të shihnim nëse mund të gjenim një mënyrë për të punuar së bashku. Nuk mund të them se e gjithë kjo më ka bërë të pasur, por ata janë miq bujarë dhe kjo përvojë më ka pasuruar së tepërmi në mënyra të tjera, më e rëndësishmja emocionalisht dhe politikisht.

Siç ndodhi me David Cameron, Ramës i janë dashur dy “skena” për të fituar shumicën. Në fushatën e tij të parë, kur kunkurroi nën slloganin e “Rilindjes”, fitoi me një lumë votash koalicioni parazgjedhor që ai formoi me një parti më të vogël, me LSI-në. Këtë herë, Partia Socialiste, e cila mbështetet në politika dhe një platformë shumë të ngjashme me atë të Laburistëve të Rinj, fitoi e vetme, pas një fushate të vështirë. Shqipëria është një vend ku politika shërbehet krudo. Zgjedhjet, për pak nuk u mbajtën fare pasi Partia Demokratike në opozitë kërcënoi të bojkotonte të gjithë procesin dhe inskenoi për disa javë një protestë përpara zyrave të Ramës, ku protestuesit mblidheshin në një çadër gjigante të vendosur në bulevard. Vetëm një sjellje shumë e zgjuar dhe e duruar bëri që ata të merrnin pjesë.

Si një studiues i shëndetit mendor, një prej përvojave të para shokuese në Shqipëri ishte të shihja Sali Berishën teksa i ngulte sytë kamerës që mbulonte fjalimin e tij në Parlament, një fjalim në të cilin ai drejtohej drejpërsëdrejti nënës së Ramës, të cilën e pyeste se kur do të pranonte që djali i saj ishte diagnostikuar si skizofren paranojak? Ajo e hodhi në gjyq, por gjykata (ato janë veçanërisht të korruptuara, ndonëse Rama ka vendosur reformën gjyqësore në zemër të axhendës së tij) vendosi se politikanëve u lejohet të thonë çfarë të duan rreth njëri-tjetrit.
Ah, korrupsioni… Mendoj se kjo do të shkonte së bashku me Norman Ëisdom dhe me mafian shqiptare, si një karikaturë dembele e këtij vendi. Është një problem, pa dyshim, siç është edhe në shumë vende të tjera. Por, është një problem që po gjen zgjidhje e nëse Rama do të ketë sukses në planin e tij për vetingun e gjyqtarëve, një linjë e fortë ndarëse e zgjedhjeve të shkuara, do të ishte një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm përpara për Shqipërinë, një hap që po shikohet me vëmendje të madhe nga organizatat ndërkombëtare që mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Ekziston një arsye përse të gjithë këta ekspertë të njohur nga e gjithë bota dolën vullnetarë për të qenë në takimin që përcaktoi linjat e mandatit të dytë të Ramës. Kjo është shumë e rëndësishme, në një rajon historikisht të paqëndrueshëm, me të, një lider të rëndësishëm brenda tij. Liderja më e rëndësishme në Europë, Angela Merkel, ka zhvilluar një interes të posaçëm për të dhe ka luajtur një rol aktiv në inkurajimin e afrimit shqiptaro-serb. Kur të dy kryeministrat respektivë vizituan dy kryeqytetet e njëri-tjetrit, edhe pas një incidenti të dhunshëm të një ndeshje futbolli, kur tifozët shqiptarë ulën me një dron një flamur kombëtar në fushën e Beogradit, duke i dhënë kështu jetë një zënke midis dy ekipeve që bëri që ndeshja të anulohej, kjo ishte hera e parë që ata takoheshin në 68 vjet. Papa vizitoi vendin dhe ndonëse Shqipëria është një vend musliman, një bust i tij u ngrit pranë zyrës së Kryeministrit… më vjen keq për Normanin.

Si çdo vend tjetër europian me optimizëm dhe shpresë tek e ardhmja, Shqipëria dëshiron që të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe edhe vetë procesi i përgatitjes për statusin e vendit kandidat, e tanimë për hapjen e negociatave, ka qenë një “lokomitivë” e rëndësishme ndryshimi, që është i dukshëm për çdo vizitor jofrekuent, si puna ime. Shumë ndërtesa ilegale janë prishur, teksa një regjistër i plotë për tokën po përgatitet, strofulla bixhozi e ferma kanabisi janë mbyllur, një fushatë agresive për mbledhjen e taksave dhe parandalimin e vjedhjes së energjisë është duke shtyrë numrat ekonomikë në drejtimin e duhur. Hotele të reja janë duke lulëzuar, teksa industria e turizmit zhvillohet.

Kur u takova me Ramën, këshilltari i tij tjetër kryesor, së bashku me Endri Fugën ishte Erion Veliaj, i cili nga pamja dhe nga energjia ngjan pak si Justin Trudeau (kryeministër i Kanadasë). Sot ai është kryetar i Bashkisë së Tiranës, e si i tillë ka mbikqyrur një transformim të jashtëzakonshëm të qendrës së qytetit, me një shesh gjigant këmbësorësh në zemër të tij. E nëse ka nga ata që janë tunduar nga shkrimi im, por që nuk mund të imagjinojnë ditën pa kurset e tyre të jogës, Veliaj ka hapur klasa joge në natyrë, në parkun e madh pranë liqenit, ku me qindra njerëz po marrin pjesë. Ndërkohë, jam duke u përpjekur që të bind kreun e “Great North Run”, Brendan Foster që të organizojë një “Great Tirana Run” dhe që të bindë botën e çiklizmit për të mbajtur një “Tour d”Albanie”. Etapa të mrekullueshme malore janë të siguruara.

Mbetet përsëri një vend i varfër me standardet tona. Sfida të mëdha ekonomike mbeten përpara, por është një vend i gjithi në lëvizje. Investimet e huaja janë në rritje. Anembanë vendit po bëhen eksplorime nafte dhe gazi. Shumë projekte të rëndësishme infrastrukture janë duke u zbatuar. Njëri prej tyre, një stadium i ri kombëtar prej 23 mijë vendesh është duke u ndërtuar mbi rrënojat e stadiumit të vjetër, ku Wisdom dhe Beckham u duartrokitën nga shqiptarët.

Ju këshilloj që të shkoni dhe ta njihni vetë. Do të përfundoni duke e dashuruar po aq saç e dashuroj unë. Jua premtoj!”, ka shkruar Alistair Campbell./ KultPlus.com

Të ngjajshme