24 Tetor, 2018 - 3:44 pm
Alternativa në Gjakovë përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin ndaj kërkesës së kryetarit aktual të Gjakovës për shfuqizimin e një vendimi të mëhershëm që Kullën e Sulejman Vokshit e trajtonte me interes të veçantë.
Në reagimin e Alternativës thuhet:
Në mbledhjen e radhës së Asamblesë Komunale në Gjakovë, si pjesë e rendit të ditës, nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është sjellë pika për shfuqizimin e vendimit për interesin e veçantë për objektin e mbrojtur të trashëgimisë kulturore, Kulla e Sulejman Vokshit.
Asambleja e kaluar me kërkesën e ish-kryetares Kusari Lila, kishte marrë vendim që ky objekt të jetë i interesit të veçantë, në mënyre që të kompensohen banorët e kësaj Kulle dhe objekti si pjesë e trashëgimisë kulturore të ketë trajtimin dhe mbrojtjen institucionale të Komunës së Gjakovës, në mënyrë që të parandalohet shitja e paralajmëruar nga banorët e saj.
Me këtë rast gjatë mandatit të qeverisjes Kusari Lila ishin përfunduar edhe procedurat e shpronësimit si dhe ishte ndarë buxheti për kompensimin e banorëve në bazë të vlerësimit nga Ministria e Financave dhe Këshilli për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Por, rë nga ditët e para të qeverisjes, kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, kishte në shënjestër këtë objekt, duke dezinformuar dhe kontestuar buxhetin që e kishte trashëguar për shpronësimin e Kullës.
Alternativa në Gjakovë i bënë thirrje publike Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimis Kulturore, që të parandalojë sa më parë veprimet e kryetarit Gjini, duke ia shpjeguar atij rëndësinë historike dhe kulturore që paraqet kjo Kullë për trashëgimin tonë.
Gjithashtu, Alternativa konsideron se heqja e interesit të veçantë të Kullës së Sulejman Vokshit, po bëhet qëllimshëm për t’i minimizuar vlerat e objektit dhe për t’i hapur rrugë interesave klanore të individëve të Aleancës për ndërtimin e banesave shumëkatëshe, siç po ndodh tashmë në shumë pjesë të qytetit që të ndërtohet jashtë planeve rregullative urbane.
Alternativa kundërshton fuqishëm tendencat e kryetarit Gjini që për interesat e grupeve të Aleancës po tenton të zbehë vlerat e trashëgimisë kulturore që ka Komuna e Gjakovës, sidomos në kohën kur vendi ynë aspiron anëtarësimin në UNESCO, përfundon reagimi i Alternativës në Gjakovë.