21 Mars, 2019 - 11:00 am
Partia Alternativa ka akuzuar përsëri qeverisjen e Ardian Gjinit se po e rrezikon Kullën e Sulejman Vokshit për interesa klanore dhe politike.
Gjatë mbledhjes së Komitetit për Politikë dhe Financa të Kuvendit Komunal në Gjakovë, e mbajtur këtë të mërkurë, Alternativa ka kërkuar që të shfuqizohet plani urbanistik “Gjakova qendër 2005”, që sipas tyre cenon monumentet e trashëgimisë kulturore, me theks të veçan kullën e Sulejman Vokshit.
Sipas një njoftimi dërguar medieve, kërkesa u bë me qëllim të mbrojtjes nga ndërtimet e larta përreth objektit të kullës së Sulejman Vokshit, e që një kërkesë e tillë u kundërshtua nga partitë e pozitës.
“Plani rregullativ urban ‘Qendra Gjakova 2005’ është në kundërshtim me ligjin nr. 02/L-88 për trashëgiminë kulturore, neni 4, pika 4.10 dhe 4.11, neni 6, pika 6.4, dhe te Ligjit nr.04/L-174 për planifikim hapësinor, neni 1 dhe neni 18, me ç’rast, objektet që janë ndërtuar deri më tani dhe ato që parashihen të ndërtohen sipas këtij plani rregullativ urban, shkelin hapësirën prej 50 metrash nga perimetri i monumentit të trashëgimisë kulturore Kulla e Sulejman Vokshi”, thuhet ndër të tjera në njoftim, transmeton Koha.net.
Sipas tyre, shfuqizimi i këtij plani do mundësonte krijimin e Ansamblit të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore duke e përcaktuar si sipërfaqe të mbrojtur që përfshinë të gjitha Monumentet të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qendrën e qytetit të Gjakovës.
“Me anë të kësaj bëhet mbrojtja dhe konservimin e monumenteve që janë në afërsi dhe kanë lidhje historike e hapësinore njëra me tjetrën siç janë: kulla Sulejman Vokshi, varri i “Mehmet Ali Pashë Maxharrit”, kulla “Abdullah Pashë Dreni”, teqja e “Shejh Eminit”, shtatorja e “Sulejman Vokshit”, si dhe lapidari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Ata kanë paralajmëruar mbledhje të nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme ku do të kërkohet shfuqizimi i planit rregullativ urban “Qendra Gjakova 2005”.