Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri

2 Tetor, 2020 - 7:27 pm

Sot 3 vite më parë, në moshën 67 vjeçare ndërroi jetë albanologu Robert Elsie.

Mëngjesin e asaj të hëne që e mori pas vetes Elsien, shumë fytyra publike shprehën ngushëllimet e tyre. Mirëpo, ishte Flutura Açka, e cila atë kohë i kërkoi ministres së atëhershme të Kulturës, Mirela Kumbaros dhe kryeministrit Edi Rama që amaneti i Robert Elsiet, i cili donte të prehej në Shqipëri, të përcillej.

Po sjellim të plotë shkrimin e Flutura Açkës:

“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”, ka shkruar Açka./ KultPlus.com

Të ngjajshme