Amantia, arti i ndërtimit të qytetërimit ilir

8 Shkurt, 2025 - 10:00 am

Qyteti antik i Amantias, Monument Kulture, pret e përcjell vizitorë vendas e të huaj të ardhur enkas për të zbuluar artin e ndërtimit të qytetërimit ilir.

Muret fortifikuese të Amantias ofrojnë një pamje mbresëlënëse të inxhinierisë dhe arkitekturës ilire nga shekulli IV para Krishtit.

Ato janë ndërtuar me gurë të punuar, duke përdorur forma poligonale, paralelopipede dhe trapezoidale, të lidhura ndërmjet tyre pa përdorur material ngjitës.

Muret mbështeten në shkëmbinj të prerë, të cilët shërbejnë si bazë për ndërtimin e strukturës, duke i dhënë fortifikimit një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Disa pjesë të mureve përmbajnë blloqe guri deri në 2,60 m të gjatë, që forcojnë edhe më shumë ndërtimin.

Për të rritur stabilitetin, muret janë mbështetur nga kontraforte, duke shfrytëzuar terrenin natyror dhe duke siguruar mbrojtje maksimale. Disa nga portat e akropolit kanë hark të rremë, një element karakteristik i periudhës.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, e cila kujdeset për këtë Monument Kulture, fton të vizitohet Amantia për të parë nga afër këtë kryevepër të qytetërimit ilir, ku herë pas here kryhen ekspedita dhe arkeologët kanë ende se ç’të zbulojnë nga nëntoka e pasur e saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme