22 Dhjetor, 2023 - 11:33 am
Ambasada Amerikane në Tiranë ndau sot përmes rrjeteve sociale lajmin e mirë se do të angazhohet edhe më tej në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Në postimin e tyre online thuhet: “Jemi krenarë të shpallim një përpjekje të re për restaurimin dhe ruajtjen e manastireve mahnitëse të Luginës së Drinos”.
Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders-CHwB) do të zbatojë projektin me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorëve të SHBA për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP) dhe Fondit Botëror të Monumenteve.
Që prej vitit 2001, AFCP ka investuar më shumë se 1,6 milionë dollarë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, përfshirë restaurimin e monumenteve të rëndësishme kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.
Ambasada Amerikane ndau një album me foto mbresëlënëse të realizuara së fundmi, gjatë vizitës së të ngarkuarit me punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner. Në postim nënvizohet se stafi i ambasadës është befasuar nga vizita në një nga manastiret e Luginës së Drinos. / atsh / KultPlus.com