25 Shtator, 2018 - 10:30 am
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dje organizoi lansimin e Fushatës tre mujore për Mjedisin dhe Javës në Diplomaci për Klimë.
Uji, cilësia e ajrit, menaxhimi i mbeturinave dhe efiçenca e energjisë janë katër shtyllat kryesore të fushatës. Përmirësimi i mjedisit është një nga hapat kryesore për Kosovën në procesin e integrimit evropian, transmeton KosovaPress.
Ricardo Serri shef i Seksionit, Ekonomik dhe të Integrimeve Evropiane, tha se fushata për mjedisin synon rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit në mesin e popullatës së Kosovës për mbrojtjen e mjedisit dhe për të sfiduar idenë se mbrojtja e mjedisit është vetëm në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, Java e Diplomacisë për Klimën është një zotim i BE në ndryshimet klimatike, të iniciuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian dhe si ngjarje vjetore zhvillohet në gjithë botën.
Programi i Javës së Diplomacisë për Klimën përqendrohet në ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike, zbutjen e trendëve negative, të ndryshimeve klimatike edhe në Kosovë si pjesë e zonës më të gjerë gjeografike. Didier Chabert, ambasador i Francës në Kosovë ka thënë se edhe Kosova ndikohet nga ndryshimet klimatike, andaj autoritetet e Kosovës duhet të inkorporoj politikat e BE klimatike meqë është në rrugën e saj integruese.
Christian Heldt ambasador i Gjermanisë në Kosovë me këtë rast tha se Kosova ka ende punë për rritjen e ndërgjegjësimit për fushën e mjedisit.
“Aktualisht 85 për qind e energjisë prodhohet nga termocentralet me thëngjill, dhe një përqindje e madhe e popullatës përdorin dru për ngrohje, e cila qon në ndotjen e ajrit. Prerjet ilegale të pyjeve në Kosovë, parashihet që nëse vazhdohet kështu pa mbikëqyrjeje efikase, deri në vitin 2030 nuk do të ketë më pyje. Qindra lumenj natyror të pa mbrojtur nga mjedisi. Dje kam hasur tek Ujëvara e Mirushës ambient të pa pastër, me shishe të plastikës të lëna nga vizitorët”, tha Heldt.
Igor Soltes deputet në Parlamentin Evropian nëpërmjet një videomesazhi ka thënë se ndryshimet klimatike ndikojnë në ndotjen e e ajrit, andaj, sipas tij, Kosova është me rëndësi të zbatojë ligjet e BE-së për ndryshimet klimatike.