3 Dhjetor, 2018 - 5:53 pm
Ambasadori i ri i SHBA-së në vendin tonë, Philip Kosnett, ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës, pas marrjes së detyrës së re.
Ai pas takimit me kreun e Ekzekutivit Ramush Haradinaj, deklaroi se nuk mund të gjesh dy vende sikurse janë SHBA dhe Kosova që kanë një shoqëri të mirë.
“Është privilegj që e shoh Haradinajn pas kaq viteve. Nuk mund t’i gjesh dy vende si SHBA-ja dhe Kosova që kanë një shoqëri të mirë. Jemi në një moment historik ku njerëzit marrin vendime dhe vendimet e tyre do të kujtohet gjatë. Mezi pres të bashkëpunoj me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë diplomati amerikan, raporton Ksp.
Ndërsa, kryeministri Haradinaj tha se ka përgëzuar ambasadorin e ri amerikan për marrjen e detyrës së re.
“Shfrytëzova rastin ta uroj për postin që e ka marrë për të mirën e Kosovës, për të mirën e Amerikës. I premtova bashkëpunim të sinqertë. Kënaqësi që jemi bashkë”, tha Haradinaj.