8 Gusht, 2019 - 3:11 pm
Edicioni i dytë i “Sunny Hill Festival” në Kosovë ka lënë pas dëme të mëdha.
“Sunny Hill Festival” që për 3 ditë rresht (2-4 gusht) u zhvillua në Parkun e Gërmisë, e ka dëmtuar këtë vend. Gërryerjet e sipërfaqes gjatë organizimit dhe në vendin ku ishte skena, vërehen edhe tani. Copëza qelqi të shisheve të birrave dhe mbeturina të shumta kanë mbetur ende në këtë hapësirë e mbrojtur me ligj, shkruan Insajderi.
Disa organizata të shoqërisë civile kishin kërkuar ndalimin e këtij festivali përpara se të zhvillohej, duke e konsideruar të dëmshëm jo vetëm për ambientin dhe natyrën e Parkut të Gërmisë, por edhe për kafshët e shpezët.
Këto organizata kërkonin nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të mos lejojë organizime të tilla dhe t’i anulojë festivalet e këtyre përmasave në zona të mbrojtura natyrore, siç parashihen me dispozitat ligjore.
Dëmi hapësinor vërehet qartë edhe katër ditë pas mbylljes së festivalit. Ndërkaq zhurma e festivalit u dëgjua edhe në distancë 1 kilometër larg skenës, gjë që trazon sidomos shpezët që zhvillojnë jetesën në Gërmi.