4 Korrik, 2018 - 9:04 am
Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32 vjeçari Tomas Xheferson.
Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratë.
Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.
Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njeri pas tjetrit, pikërisht në 50 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.
Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Montiçello të shtetit Virxhinia, kurse Adamsi në Quincy të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës së 4 korrikut. Ndërsa 90 vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni të vdekjes së mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit “Jeffersoni është ende gjallë”.
Ata ishin njohur gjatë konventës së vitit 1776, e cila çoi në vendimin e kolonive britanike të Amerikës për të shpallur pavarësinë nga Anglia. Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studiojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njeri tjetrin.