Analizë e plotë për projektet e restaurimit të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti

28 Shkurt, 2020 - 4:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se në mbledhjen e së martës së Komisionit të ardhshëm të Rindërtimit do të paraqitet e gjithë analiza për projektet e nevojshme të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne tashmë kemi hartuar një plan të detajuar që lidhet dhe me fazat e restaurimit, konsolidimit të monumenteve. Jemi në fazën që jemi gati për ditën e martë në Komisionin e ardhshëm të Rindërtimit të paraqesim të gjithë analizën për projektet e nevojshme”, tha Margariti në konferencën e mbajtur në Kryeministri për prezantimin e projekteve të rindërtimit.

Margariti theksoi se, “specifika e monumenteve është e tillë që duhet të kalojë nëpërmjet një procesi tejet të detajuar, ashtu siç bëmë për planet e detyruara vendore, në të njëjtën mënyrë do të kemi një njësi zbatimi, në këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë të gjithë  projektet e detajuara, jo vetëm të restaurimit, por mbi të gjitha dhe të konsolidimit”.

“Mendoj që do kemi po ashtu e nevojë për ekspertët e huaj, përderisa për një kohë tejet të shkurtër do të duhet që të analizojmë sidomos me aparatura dhe teknologji të larta territoret e prekura. Kjo punë ka filluar tashmë. Ekspertët e huaj na janë gjendur pranë që në muajin e parë dhe një pjesë e hulumtimit fillestar është bërë , por projekti i detajuar i zbatimit duhet të kalojë në një proces tjetër”, tha Margariti.

“Kemi analizuar koston, fondin e nevojshëm për hartimin e këtyre projekteve dhe jemi gjithashtu duke ndërtuar të gjithë skemën e granteve të atyre partnerëve, të atyre shteteve, të cilat janë shprehur në mënyrë specifike për mbështetjen e trashëgimisë kulturore si rasti i Amerikës, rasti i Polonisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera”, u shpreh Margariti.

“Kështu që është një proces që po futet në rrugën ligjore të hartimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt, brenda afateve do kemi dhe koston totale të implementimit të këtyre projekteve”, u shpreh Margariti. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme