22 Gusht, 2019 - 10:18 am
Ajet Leci ia kishte dalë që në zgjedhjet partiake të këtij viti të mblidhte 28 vota duke u bërë anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas. Por ky nuk ka qenë suksesi i vetëm i tij për këtë vit.
Të mërkurën, Këshilli Drejtues i Muzeut të Kosovës, i emëruar nga bashkëpartiaku i Lecit, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e ka zgjedhur atë drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Kësisoj, Leci që më parë në Drenas ishte zgjedhur edhe drejtor i shkollës “Mehmet Gradica” në fshatin Gradicë, për katër vjet do të udhëheqë institucionin më të lartë muzeor në vend, shkruan sot “Koha Ditore”.
Leci është vlerësuar me më së shumti poenë në garën ku kandiduan edhe dhjetë të tjerë. Pasditen e së martës, kur gazeta e ka marrë vesh zgjedhjen e tij, Leci nuk ka qenë i qasshëm nëpërmjet telefonit. E Selim Bezeraj, kryetar i Këshillit Drejtues të MKK-së, ka thënë se ky organ ka vlerësuar profesionalisht.
“Nuk i dimë na ato. Ne e kemi vlerësuar vetëm në bazë të kritereve të konkursit”, ka thënë Bezeraj. Paraprakisht kandidatët kishin hyrë në test me shkrim të premten, kurse të martën ata janë intervistuar.
Kësisoj, pas më shumë se një viti institucioni më i lartë muzeor në vend ka arritur që të ketë drejtor.
Sipas njoftimit të Këshillit Drejtues të Muzeut, kandidati Ajet Leci i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
“Ai ka dhënë dëshmi bindëse se mund ta drejtojë këtë institucion në përmbushjen e objektivave profesionale që lidhen me fushëveprimtarinë e këtij institucioni”, është shkruar në njoftimin e Këshillit Drejtues.
Në vitin 2013 Leci ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas dhe vazhdon të jetë akoma anëtar i saj. Ajet Leci ka gradën master në histori me temën “Shërbimi sanitar mjekësor në Zonën e Drenicës 1998/99”. . Koha.net / KultPlus.com