3 Gusht, 2017 - 7:40 pm
Me qetësimin e dallgëve, metrat e parë të turbullt shpejt u hapin rrugë ujërave të kthjellëta dhe një pamjeje të mahnitshme – dhjetëra, ndoshta qindra vazo të lashta në shtratin e detit duken si testament për disa kohë të harruara si pasojë e fatkeqësive në trafikun ujor gjatë një udhëtimi më shumë se 1 mijë e 600 vjet më parë.
Një udhëtim i shkurtër ofron pamjen e një kuadri të gjerë të një anijeje të Luftës së Dytë Botërore, që shfaqet përmes errësirës, sendeve personale të ushtarëve ende të shpërndara në brendësi në korridoret e saj të ngushta dhe në helikën që tani është vendi i kolonive në rritje të peshqve, shkruan Associated Press.
Nga brigjet e thyera të Shqipërisë, në një nga bregdetet më të vona sa i përket eksplorimit në botë, gjendet një pasuri thesaresh: amfora të lashta – enë të gjata dhe të ngushta, me të cilat transportohej vaji i ullirit dhe vera përgjatë rrugëve tregtare midis Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake – tregime të fshehura të heroizmit dhe tradhtisë nga dy luftërat botërore e formacione spektakolare shkëmbore dhe jetë detare.
“Nga ajo që kam parë deri më tani, nuk mund të notosh më shumë se disa metra pa gjetur diçka të mrekullueshme, qoftë në anën e historisë kulturore apo në anën e historisë natyrore “, ka thënë Derek Smith, ekolog detar dhe bashkëpunëtor hulumtues, i cili ka punuar me Fondacionin Nautik – organizatë joprofitabile – për të eksploruar bregdetin shqiptar gjatë dekadës së fundit.
Tani Agjencia Kombëtare Bregdetare e Shqipërisë po shqyrton mënyrën më të mirë për të studiuar dhe mbrojtur atraksionet e saj të ngushta, duke i hapur ato për vizitorë në një vend që është territor i virgjër për industrinë e zhytjes fitimprurëse.
“Ideja e paraqitjes së trashëgimisë nënujore shqiptare është një ide e re për vendin, sepse deri më tani nuk dihet shumë për historinë e pasur të vijës bregdetare shqiptare dhe në veçanti për anijet e fundosura “, ka thënë kreu i Agjencisë, Auron Tare, i cili në 12 vjetët e fundit ka qenë i përfshirë në kërkimet nënujore me Fondacionin Nautik. “Unë besoj se ka ardhur koha që tani t’ia paraqesim botës pasurinë e kësaj trashëgimie që kemi në ujërat tona”, ka thënë ai.
Dikur më e izoluar se Koreja e Veriut, Shqipëria gradualisht është hapur për turizmin ndërkombëtar dhe ka shmangur imazhin e saj të mëparshëm si një shtet që shkurtimisht u shndërrua në territor të banditëve në fund të viteve 1990. Por zhvillimi i tokave bregdetare është duke shkuar shpesh në mënyrë anarkike, dhe ka frikë se rrënojat më të çmueshme mund të plaçkitën nëse nuk vihen nën mbrojtje të mjaftueshme.
Legjislacioni pritet të miratohet së shpejti si bazë për të mbrojtur trashëgiminë nënujore të vendit, duke lejuar gjithashtu qasje për vizitorët.
Greqia fqinje, në jug të Shqipërisë, ka luftuar për balancimin e turizmit duke mbrojtur objektet e lashta. Greqia ishte kaq e frikësuar nga humbja e artefakteve të saj nënujore saqë ndaloi zhytjen e plotë në të gjitha vendet pos një pjese të vogël. Edhe sot, zhytja është e ndaluar në çdo anije ose aeroplan – të ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë, pavarësisht kur u fundos. Shqipëria po shkon drejt një qasjeje më të balancuar.
“Do të thosha se në të ardhmen e afërt rrënojat e lashta duhet të jenë të hapura për studiuesit dhe për hulumtime”, ka thënë Tare, i cili vuri në dukje se vendi ka humbur edhe një pjesë të trashëgimisë nënujore gjatë plaçkitjeve të 20 vjetëve të fundit. “Por disa nga rrënojat, të cilat nuk kanë humbur shumë në kuptimin e plaçkitjes mund të hapen në industrinë e zhytjes”, ka thënë Tare
Ai vlerësoi se duke pasur qasje në rrënojat më moderne nga Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Dytë Botërore, zhytja mund të sillte më shumë vizitorë në Shqipëri në pesë vjetët e ardhshëm.
Fondacioni Nautik në bashkëpunim me Agjencinë bregdetare, kanë shënjuar shtratin e detit përgjatë një të tretës së bregdetit shqiptar, nga Saranda afër kufirit grek deri në Vlorë. Duke përdorur një kombinim të pajisjeve të zhytësve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë, përfshirë një automjet nënujor që drejtohet nga distanca, kërkimet kanë rezultuar me zbulimin e gati 40 anijeve.
“Deri tani Fondacioni ka dokumentuar se ka gjetje nga shekulli III dhe IV deri tek ato të periudhave të dy luftërave botërore”, ka thënë Smith. “Pra, ne kemi një gamë mjaft të madhe prej ndoshta 2 mijë e 500 vjetësh, me burime kulturore prej 2 mijë e 300 vjetësh në bregdetin shqiptar, të cilat në të vërtetë kanë qenë të paeksploruara”.
Njëri prej tyre është grumbulli me amfora pranë bregut. Aty është ajo që njihet si anija e mbytur e Jonit, një anije tregtare që vlerësohej të kishte rreth katër anëtarë të ekuipazhit dhe një ngarkesë me kryesisht amfora nga Afrika e Veriut.
Fakti që qeramika ishte afrikano-veriore “është me të vërtetë i rëndësishëm, sepse tregon lidhjet tregtare midis Adriatikut dhe bregut të Afrikës Veriore”, ka thënë arkeologu nënujor Mateusz Polakowski, i cili ka punuar me Fondacionin.
Peshqit e vegjël dalin nga qafat e ibrikëve, të cilët me kalimin e kohës janë zbukuruar në shtratin e detit. Vendi nuk është gërmuar dhe arkeologët besojnë se disa shtresa të amforave, si dhe trupi prej truri i anijes mund të qëndrojnë ende të paprekura nën shtratin e detit.
“Shumë nga këto rrënoja janë shumë të rëndësishme si thesare të trashëgimisë kombëtare”, ka thënë Polakowski. “Ashtu si nga përbërja biologjike, po aq e rëndësishme sa edhe shkëmbinjtë nënujorë dhe popullata e peshqve, unë mendoj se këto anije të mbytura jo vetëm që bëhen shkëmbinj artificialë, por gjithashtu të japin ndjenjën e identitetit kulturor e të trashëgimisë kulturore”.
Shqipëria gjendet në një pikë strategjike në hyrje të detit Adriatik dhe përgjatë rrugëve të lashta tregtare nga Italia në Gadishullin Ballkanik, ka thënë Polakowski. Mbetet ende shumë për t’u eksploruar.
“Janë rreth 200 milje bregdet këtu”, ka thënë Smith. “Edhe pse na duket sikur kemi zbuluar pjesë të madhe… ka gjithmonë ende shumë për t’u zbuluar”. / KultPlus.com