24 Gusht, 2018 - 4:46 pm
Ansambli “Lidhja e Prizrenit” do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit i cili mbahet në Shkup, përcjellë KultPlus.
“Lidhja e Prizrenit” do të përfaqësojë qytetin e Prizrenit dhe Republikën e Kosovës në këtë festival ndërkombëtar i cili do të zhvillohet nga data 27 deri më 31 gusht.
Në këtë festival marrinë pjesë shumë shtete nga e mbarë bota si: Argjentina, Meksika, Qiproja Veriore, Bullgaria , Ukraina, Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia si nikoqire. Ky festival organizohet nga SHKA “Karshiaka” Shkup, dhe është mbështetur nga Ministria e kulturës së Maqedonisë dhe disa komuna të Shkupit.
Festivali promovon edicionin e 12-të me radhë duke i’u dhënë mundësi që grupet pjesëmarrëse gjatë ditëve të festivalit të promovojnë folklorin autentik të vendit të tyre prej nga ata vijnë.
Përgjatë këtyre ditëve të festivalit, do të ketë shumë aktivitete kulturore dhe artistike në disa sheshe të qytetit të Shkupit si: Sheshi Filipi i dytë, në sheshin Isa Boletini – komuna Sarajit si dhe në sheshin ‘Skënderbeu’.
Ansambli “Lidhja e Prizrenit” do të paraqitet me vallet më të bukura koreografike dhe autoktone nga repertori i tyre të cilat do të interpretohen nga orkestra burimore
Të gjithë anëtarët e AKV “ Lidhja e Prizrenit “ janë duke u përgatitur në mënyrën më të mire të mundshme të cilët me shumë krenari do të prezantohen nën petkun e kostumit kombëtarë shqiptarë dhe flamurit të Republikës së Kosovës.
Në hapjen e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar, përveç Ministrit të kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, do të nderojë këtë festival edhe Ministri i Kulturës rinisë dhe sporteve të Republikës së Kosovë, Kujtim Gashi, si dhe shumë personalitete nga jeta publike shoqërore nga Maqedonia, Kosova dhe më gjerë.
Gjatë këtyre ditëve të festivalit, drejtueseve të të gjitha grupeve pjesëmarrëse, do të i’u bëhet pritje edhe nga Ministri i kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, Kryetari i Komunës Çair Saraj dhe Studeniqam, me ç’rast do të bëhet edhe shkëmbimi i dhuratave.
AKV “Lidhja e Prizrenit”, gjatë muajve në vazhdim do të jetë ambasadore e kulturës edhe nëpër të tjera evente të organizuar brenda dhe jashtë Kosovës në petkun e kostumit kombëtar. /KultPlus.com