Ansambli ‘Lidhja e Prizrenit’ pjesëmarrës në dy festivale

18 Shtator, 2017 - 5:33 pm

Ansambli “Lidhja e Prizrenit” do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtarë të valleve i cili mbahet në qytetin Kahramanmarash të Republikës së Turqisë nga data 20 deri 25 shtator, shkruan KultPlus.

Në këtë festival marinë pjesë 12 shtete nga Evropa dhe rajoni dhe organizohet nën patronatin e Komunës-Kahramanmarash.

Ky festival ndërkombëtar i dedikohet festës së akullores, festë kjo e cila tradicionalisht kremtohet në këtë qytet dhe e cila shquhet për prodhimet tradicionale të akullores jo vetëm në Turqi por edhe në gjithë botën.

Përgjatë 5 ditëve feste të organizuar nga komuna, do të ketë shumë aktivitete kulturore, njëherësh do të mbahet edhe festivali i valleve folklorike dhe tradicionale.

Ndërsa nga data 6 deri me 8 tetor, Ansambli “Lidhja e Prizrenit” merr pjesë edhe në festivalin tjetër të radhës “Argjiro 2017” festival i cili mbahet në Gjirokastër.

Edhe në këtë festival ndërkombëtar të valleve i cili shënon edicionin e tetë me radhë, Ansambli “Lidhja e Prizrenit” është ftuar për herë të katërt.

Në këtë festival marrin pjesë shume grupe folklorike ndërkombëtare të valleve si nga Kroacia, Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania, Polonia, Mali i zi, Kosova dhe Shqipëria, ku secila nga këto shtete performojnë me pikat e tyre më të përzgjedhura nga vendi prej nga ata vijnë./ KultPlus.com

Të ngjajshme