29 Korrik, 2022 - 2:07 pm
Ansambli “Myzeqeja” i Fierit vijon të korrë sukses edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Trupa e Ansamblit “Myzeqeja” ka qenë pjesëmarrëse në dy festivale të rëndësishme ndërkombëtare, në Itali dhe Greqi ku ka spikatur me repertorin e larmishëm folkloristik.
Gjatë pjesëmarrjes në festivale ansambli promovoi këngë dhe valle tradicionale të Fierit, por edhe kostumet specifike të trevës së Myzeqesë.
Festivali me shtrirje më të gjatë në kohë (2-27 qershor) ishte ai i organizuar në Fasano të Italisë “Ritme dhe tinguj nga Mesdheu”, i cili u pasua nga Festivali i 42-të Ndërkombëtar Folklorik “Dielli dhe Guri” në Nea Karvali, Greqi’ (15 – 18 korrik).
Të dy këto aktivitete u ndoqën me interes jo vetëm nga spektatorët vendas, por dhe nga një komunitet i gjerë shqiptarësh që punojnë e jetojnë prej vitesh atje./ atsh / KultPlus.com