1 Qershor, 2021 - 12:28 pm
Dasma e Shqipërisë së mesme me të gjitha ritet dhe motivet e saj, erdhi e performuar me mjeshtëri nga Ansambli Folklorik “Tirana”.
Premierën e saj ishte online në profilin e teatrit Metropol në Facebook dhe Youtube. Ky produksion i teatrit Metropol i titulluar “Dasmat Shqiptare” ka në qendër identifikimin dhe prezantimin e vlerave më të mira kombëtare nëpërmjet institucionit të dasmës, duke kombinuar me finesë dhe një qasje totalisht moderne vizuale, ritualet e dasmave shqiptare me këngë e valle tradicionale, të performuar nga Ansambli Folklorik “Tirana”, përcjell KultPlus.
Projekti “Dasma Shqiptare” ka bërë bashkë artistë të talentuar të Ansamblit Folklorik “Tirana” me studiues, regjisorë, aktorë, muzikantë popullorë, dizajnerë të kualifikuar, teknikë dhe kostumografë, për të sjellë një produkt përfundimtar sa më cilësor dhe autentik, duke evidentuar veçoritë, ngjashmëritë dhe nuancat e folklorit të dasmave shqiptare, duke përfshirë këngët, vallet, ritualet, kostumet, objektet dhe marrëdhëniet shoqërore në dasmat shqiptare.
Projekti “Dasma shqiptare” ku në qendër të tij është identifikimi i 3 riteve martesore të trevave kryesore të Shqipërisë, si “Dasma e Veriut”, “Dasma e Jugut” dhe “Dasma e Shqipërisë së mesme”, qëllimi ishte krijimi i tre shfaqjeve filmike në një album/film që dokumenton ritualet, traditat, kostumet dhe repertorin e këngëve dhe valleve të trevave të Shqipërisë së mesme, jugut dhe veriut.
Materiali, përveç shfaqjeve filmike në rrjetet sociale, RTSH dhe festivale, do të përshtatet dhe për shfaqje live të repertorit të Ansamblit Folklorik “Tirana”. Pas prezantimit me ritet dhe motivet e dasmës së Shqipërisë së mesme, në vijim në programin online do të vijnë dhe ritet e motivet e Shqipërisë së veriut dhe jugut.
Ansambli Folklorik “Tirana” është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh, që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e mesme, repertori kryesor i Ansamblit Folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin te gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com