27 Tetor, 2020 - 8:43 pm
Islami, katolicizmi dhe ortodoksia, kanë bashkëjetuar prej kohësh në Kosovë. Dhe secili objekt fetar ndryshon edhe nga arkitektura dhe stili që kanë. Arkitektura në trashëgiminë kulturore të objekteve fetare përbën një rol unik, dhe mjaftë e rëndësishme për trashëgiminë kulturore.
Metoda themelore e hulumtimit është studimi i rasteve – përfshirë shumë raste dhe për nivele të ndryshme të analizës. Çështja e rolit të arkitekturës së objekteve fetare në qytet nuk shqyrtohej shpesh. Ndërveprimi i objekteve arkitektonike në strukturën hapësinore përreth është subjekt i luhatjeve.
Objektet e shenjta së bashku me mjedisin e tyre funksional të lidhur, kanë një ndikim të rëndësishëm në përbërjen e qytetit urban. Objektet e shenjta krijojnë imazhin e hapësirave publike. Përbëjnë një strukturë funksionale tërheqëse dhe të hapur për veprimtari të ndryshme.
Vlera arkitektonike e objekteve sakrale, ka një efekt të rëndësishëm në aktivizimin e rajoneve dhe rajoneve turistike dhe të biznesit, dhe rrisin aftësinë konkurruese të qytetit dhe ndryshojnë kuptimin e tij në nivelin kombëtar ose ndërkombëtar. Arkitektura e objekteve fetare është zakonisht e stilit: gotik, romanesk, bizantin, rilindjes (renesanca), barok, victorian, mesopotamiane etj.
Arbër Sadiki, arkitekt i Kosovës ka thënë për KultPlus se arkitektura e religjionit nuk ka se si të ndryshojë shumë prej arkitekturës së përgjithshme që prodhon një shoqëri.
“Natyrisht që arkitektura e një religjionit manifeston edhe parimet e atij religjioni në raport Perëndi – Njeri. Sa më të hapura, transparente, të çiltërta, të sinqerta, parimet arkitekturore mbi të cilat zhvillohet ndërtesa, manifeston edhe nivelin e përmbushjes së kategorive të nga vet ai religjion” ka thënë Sadiki, i cili më tutje tregon se ndërtesat fetare mesjetare ishin imponuese, të mbi-dimensionuara në raport me shkallën njerëzore për të imponuar nënshtrim, sepse vet qasja e religjioneve ndaj njeriut ishte e tillë.
“Nuk mund të themi të njëjtën për një ndërtesë fetare bashkëkohore, ku njeriu është në qendër të vëmendjes duke kërkuar afërsinë e tij me perëndinë përmes parimeve të çiltërsisë, transparencës, sinqeritetit, e jo imponimit. Por, derisa tek të parat, (mesjetaret) ato unifotrmisht manifestonin cilësi të tilla, tek rasti i dytë (bashkohoret), fatkeqësisht, jo gjithmonë manifestojnë cilësitë e cekura më lartë”, ka thënë Sadiki, i cili ka treguar më tej edhe për ndikimin që kanë këto ndërtesa fetare në zhvillimin e mjedisit, duke qenë se i dedikohen perëndisë, vëmendja ndaj tyre gjithmonë është më e madhe.
“Mu për këtë, impenjimi gjatë realizimit të tyre duhet të jetë maksimal. Duke qenë se çdo religjion mëton të përkryerën, këtë duhet ta manifestojë edhe në arkitekturë. Mu ashtu siç bënin në Greqinë Antike, kur skulpturat që u dedikoheshin perëndive duhet patjetër të ishin të përkryera artistikisht”, ka vijuar ai.
Kurse në bazë të kritereve urbanistike që i përmbushin ato në kuptimin hapësinor, Sadiki thotë se vet lokacionet tyre të cilat paracaktohen pa kurrfarë kriteri profesional, pamundësojnë performancë të mirë të tyre urbanistike.
“E dyta, në shumicën e këtyre ndërtesave të realizuara 20 vitet e para janë kopje që barten gjithandej, dhe asnjëherë të projektuara saktësisht për vendin e caktuar. Kjo pamundëson akomodim dhe performancë të mirë urbane. Këto dy gabime që janë bërë gjithandej nëpër ndërtesa të kësaj kategorie të ndërtuara anekënd Kosovës, për fat të keq i gjejmë edhe tek Katedralja “Nënë Tereza”, dhe, sipas të gjitha gjasave, do ti gjejmë edhe te Xhamia e Madhe në Prishtinë”, ka thënë ai.
Nivelin që e kanë këto objekte fetare në krahasim me arkitekturën jashtë vendit, Sadiku për KultPlus ka treguar se sot gjithandej nëpër botë arkitektura sakrale ka avansuar aq shumë, saqë ndërtesat e kësaj kategorie shpesh përfaqësojnë ndërtesat më bashkëkohore.
Sadiki poashtu ka thënë se sa i përket paraqitjes së tyre të identitetit origjinal arkitektonik, të vetmet ndërtesa të kësaj kategorie që gëzojnë kualitet arkitektonik dhe rrjedhimisht me kohë kanë formuar identitetin e tyre arkitektonik duke u bërë si shenjëzime të vendeve ku janë ndërtuar.
“Janë xhamitë e ndërtuara gjatë periudhës otomane, këtu mund të veçojmë: Sinan Pashën në Prizren (1615) dhe Xhaminë e Mbretit në Prishtinë (1461), si dhe kishat mesjetare ortodokse, si: Manastiri i Graçanicës (1315) dhe Levishka në Prizren (1306)” ,duke shtuar se gjithçka që është ndërtuar 20 vitet e fundit në kategorinë e ndërtesave të kultit, janë më shumë një përzirje turbofolku patetik se sa tendencë për të shprehur çfarëdo identiteti arkitekturor.
Sadiki për KultPlus ka thënë se sa i përket gabimeve që përsëriten në arkitekturën e objekteve fetare, nuk mund të flitet për gabime, por kemi të bëjmë për bërjen keq të tyre me paramendim.
“Vet fakti që personat kyç që vendosin për mënyrën e realizimit të tyre nuk janë profesionistët (arkitektet, urbanistët, estetët, inxhinieret,…), por klerikët fetar, dështimi i tyre nuk vjen si rrjedhojë e gabimeve gjatë procesit, dhe si rrjedhojë, dihet se do të dështojë. Klerikët fetar janë për ti prirë ritualeve fetare, arkitektët janë ata që duhen ti prijnë ndërtimit të ndërtesave fetare. Rastet që pasqyrojnë më së miri këtë dështim janë mënyra se si është ndërtuar Katedralja “Nëna Terezë” në Prishtinë, dhe se si kanë rrjedhur gjërat deri më tani për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, po ashtu në Prishtinë” shton Sadiki për KultPlus.
Alfred Sokoli nga Katedralja e “Nënë Terezës” në Prishtinë, për KultPlus ka treguar se kur flasim mbi arkitekturën e Kishës i referohen arkitekturës së ndërtesave të kishave të krishtera.
“Tash 2000 vite të Krishterimit në botë, stili ka evoluar, në njërën anë nga arritjet e mëdha të njerëzimit e në anën tjetër duke imituar stile tjera arkitektonike dhe duke iu përgjigjur ndryshimeve, praktikave dhe traditave lokale. Nga lindja e Krishterimit e deri më tani, objektet më të rëndësishme për arkitekturën e krishterë kanë qenë kishat e mëdha të Bizantit, kishat romanike, katedralet gotike dhe bazilikat e Rilindjes me theks të veçantë në harmoninë”, ka thënë ai.
Më tutje tregon se këto ndërtesa të mëdha, shpesh të dekoruara dhe në pikëpamje arkitekturale të çmuara ishin karakteristikë dominuese e qytetit apo fshatit ku ndodheshin. Ndërsa disa mbahen si vepra arti sublime dhe të papërsëritshme, shumë të tjera janë zhvilluar dhe ndërtuar në një vijë tjetër, duke treguar diversitetin dhe janë një shprehje e lirë e bukurisë, misterit dhe përshpirtërisë së lidhur me konceptin e ideatorit, bashkësisë, kohës dhe vendit. Sa i përket projektit të Katedrales, Alfred Sokoli ka thënë se projekti për ndërtimin e këtij objekti ishte i kamotshëm, mirëpo kohërat e pavolitshme e kanë shtyrë procesin e ndërtimit të saj.
“Bekimi i gurthemelit u bë në vitin 2005, ashtu siç e parashohin ritet e krishtera për ndërtimin e një kishe, ndërsa punimet filluan në vitin 2007 dhe ka vazhduar deri në vitin 2017 kur është bërë shugurimi i saj. Stili i saj është neoromanik. Punimet e mbetura ende vazhdojnë”. Alfred Sokoli poashtu shton për KultPlus se projekti i saj, në fillim është shikuar me një sy kritik, pasi që gjendet në qendër të qytetit.
“Dalëngadalë, me kalimin e kohës, është shndërruar në një pikë referimi dhe takimi për të gjithë qytetarët e vendit dhe rajonit. Po ashtu, ka ndikuar pozitivisht edhe në turizmin lokal dhe ndërkombëtar. Arkitektë, stilistë, fotoreporterë e shumë të tjerë vijnë nga e gjithë bota që ta shohin këtë vepër artistike të bukur dhe të veçantë. Vlen të theksohet se përveç arkitektëve nga Kosova, në projektimin dhe ndërtimin e Katedrales ka marrë pjesë edhe arkitekti italian Livio Sterlicchio me grupin e tij nga Roma”, ka thënë ai.
Sa i përket materialeve të nevojshme për ndërtimin e një objekti fetar në përgjithësi dhe një objekti kishtar në veçanti, fatmirësisht, në vendin tonë mund të gjenden pothuajse të gjitha materialet e nevojshme për ndërtim, Alfred Sokoli duke treguar më tutje ka thënë se ndoshta mund të ceket që ka mungesë të teknologjisë së ndërtimit apo, më mirë të thuhet, se ka vështirësi për ndërtimin e objekteve të mëdha për shkak të mjeteve të pakta apo jo të duhura që posedojnë kompanitë e vendit tonë.
“Shumica e materialeve jen vendore, të tjera të nevojshme merren nga vendet në rajon, sidomos në Shqipëri.” shtoi për KultPlus.
Në një intervistë të bërë me Prof. Banush Shyqeriu, Arch. për KultPlus thotë se mendimi i tij për arkitekturën e xhamive në vendin tonë është se arkitektura shkon përtej nevojave utilitare dhe kjo më së miri mund të shihet historikisht në ndërtesat fetare apo ndërtimet e kultit të cilat gjithnjë e kanë përdorur artin dhe shkencën e ndërtimit – arkitekturën – për të ngritur vepra madhështore, ekspresive dhe reprezentative.
“Historikisht e gjere me sot sfidat që kanë sjellë tempujt, katedralet, xhamitë, kanë qenë shtytës të zhvillimeve të reja teknike-teknologjike dhe sistemeve inovative në arkitekturë” ka thënë Shyqeriu duke treguar më tutje se ndarja e arkitekturës në kategorinë sakrale dhe profane shpesh ka shkaktuar probleme historike, por historia na tregon se këto dyja kanë qenë pothuajse një, dhe arkitektura sakrale ka lindur nga ajo profane.
“Arkitektura e objekteve islame në kulmin e saj u reprezentua mu nga xhamitë si institucione dhe sisteme komplekse në të cilat u shfaq si arti ashtu edhe shkenca e ndërtimit dhe të arriturave tekniko-teknologjike”, shtoi ai për KultPlus.
Mbështetur në stilin e arkitekturës të xhamive në Kosovë ai thotë se në Kosovë koncepti i stilit të ndërtimit apo më mirë të themi të ekspresionit të xhamive në kuptim e kategorizimit arkitektural ndahet në dy periudha; e para periudha Osmane, ndërtime tekniko-teknologjike dhe entitete reprezentative me identitet dhe karakter tashmë të njohur, fillimisht të influencuar edhe nga arkitektura bizantine.
Shyqeriu më tutje tregon se meqë shumica e xhamive reprezentative që ende ekzistojnë sot në Kosovë ishin të ndërtuara kryesisht nga shekulli 14 gjerë në shekullin e 17, ndërtimet më të vonshme ose ishin xhami më të vogla dhe shumë modeste të fshatrave që prape do të bartnin elementet e gjuhës paraprake stilistike e disa ndoshta nuk e kishin luksin e kubesë, ose kryesisht kemi të bëjmë me valën e dytë te ndërtimeve më masive e që është periudha e pasluftës.
Në këtë rast Shyqeriu tregon se stili i ndërtimit përkthehet në stil të reprezentimit dhe imitimit tektonik, për faktin se guri u shndërrua në beton e çelik dhe ekspresionin e tij e zuri suvaja.
Duke u bazuar në nivelin e arkitekturës e xhamive me vendet e tjera, Shyqeriu tregon se së fundmi krahasimin këtu mund ta bëjmë në nivelin e inovacionit, ku në Kosovë thjesht kemi pasur shumë pak inovacion në kuptimin reprezentativ por kemi disa raste të suksesshme të rritjes së performances ku xhamitë e reja tashme nivelojnë sistemet qendrore të ventilimit dhe klimatizimit, menaxhimit të mençur, etj.
“Në rastin e Kosovës për shkaqe edhe të rrethanave sikurse madhësitë e lokacioneve dhe densitetit ne zonat urbane, shumica e xhamive kanë mbetur me hapësira që ofrojnë kryesisht vetëm kryerjen e riteve fetare dhe të njëjtat improvizohen për aktivitetet tjera”, ka thënë ai.
Shyqeriu poashtu për KultPlus ka thënë se nëse shikoni se sa xhami ndërtohen brenda një viti apo edhe një dekade në Kosovë, do të kuptoni se ka shumë pak arkitektë që janë marrë dhe merren me xhamitë, jo thjesht si projekte për t’u ndërtuar por veçanërisht në studime më të thella drejtë sistemeve me inovative që i përgjigjen konditave lokale, nevojave bashkëkohore.
“Fatmirësisht ka disa arkitekt entuziast të cilët herë-herë japin kontributin e tyre, por mjerisht nuk ekziston një komunitet i cili do të bashkërendonte kapacitetet për te kontribuar siç duhet në këtë drejtim për faktin se këtu nuk duhet folur vetëm për xhami të reja, ngaqë në vazhdimësi ne kemi nevojë për restaurim, konservime dhe rinovime të xhamive të vjetra të cilat edhe ashtu janë të kategorizuara si Monumente të Mbrojtura, në anën tjetër për nevoja aktuale një pjesë e madhe apo mos te themi të gjitha xhamitë nuk i plotësojnë normativat e evakuimit dhe sigurisë në përgjithësi, një pjesë e xhamive janë aneksuar, shtuar, ndryshuar e rritur pa kritere dhe pa ‘dorën’ e arkitektit, andaj ne mendojmë se kontributi i arkitekteve këtu duhet të jetë i vazhdueshëm”, shtoi ai për KultPlus, për rëndësinë e këtyre objekteve, duke pas parasysh ndërtimin, lokacionin dhe rëndësinë arkitektonike të këtyre objekteve fetare. Linda Krasniqi/ KultPlus.com