Arbër Selmani, një prej fituesve të Bursës Sakharov për këtë vit

31 Maj, 2018 - 8:39 pm

Arbër Selmani, redaktor në KultPlus, është një prej 12 fituesve të Bursës Sakharov për vitin 2018-të.

Bursa Sakharov është pjesë e Çmimit të madh Sakharov dhe ndahet nga Parlamenti Evropian.
Edhe këtë vit sikur vitin e kaluar, 12 avokues të të drejtave të njeriut e marrin këtë bursë dhe shpallen fitues të saj.

Selmani është njëri prej këtyre fituesve, bashkë me emra të aktivistëve nga Jordania, Bolivia, Kirgistani, Armenia, Libani, Meksiko, Maqedonia, Sudani, Tajlanda, Turqia dhe Venezuela.

Bursa Sakharov është bursë që jepet për individët që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe ndihmojnë në kauzat e ndryshme që lidhen me të drejtat elementare njerëzore.

Arbër Selmani është gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Momentalisht punon si redaktor në KultPlus dhe është pjesë e Qendrës Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian. Ai ka bashkëpunuar me disa organizata që merren me komunitetin LGBT në Kosovë ndërsa ka shkruar vazhdimisht mbi problematikat sociale në Kosovë. Për disa kohë ai ka moderuar një emision mbi të drejtat e njeriut në Radion Vala Rinore në Prishtinë. Bashkëpunon me ILGA-Europe, organizatë e njohur në Evropë e cila punon në fushën e të drejtave të njeriut.

Në vitin 2013-të ai morri çmim nga UNDP dhe UNWOMEN në Kosovë, për shkrimet e tij gazetareske në fushën e të drejtave të njeriut.

Bursa Sakharov është bursë prestigjioze e cila bursistët e saj i angazhon në trajnime të ndryshme në Parlamentin Evropian, ndërsa bursistët më pas do të jenë pjesë aktive e Parlamentit dhe do të angazhohen në organizime të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe paqen në vendet prej nga vijnë.

Kujtojmë se Çmimin e madh Sakharov për Paqe e kanë fituar Adem Demaçi në vitin 1991 dhe Ibrahim Rugova në vitin 1998. / KultPlus.com

Të ngjajshme