22 Prill, 2021 - 7:28 pm
Rrypina e ngushticës së Korintit tërhoqi atje, së bashku me shumë nga kombet e tjera, edhe shqiptarët e kolonive tona, që kishin shkuar atje dikush për të nxjerrë dhé, dikush si murator, dikush për të ngarkuar vagona o për të bërë tjetër gjë.
Disa kaluan nga një vend në një tjetër e, pothuaj, të gjithë vajtën në Athinë. Nga ata që janë kthyer prej andej, mësuam që në Atikë flasin shqip, që në një pjesë të madhe të Greqisë ndër fshatra të vegjël banojnë shqiptarë, kurse ndër qytete banojnë helenë. Dhe këtë e la të shkruar edhe Hahni o sepse i kishte parë, o sepse ia kishin thënë.
Tregojnë, gjithashtu, ata që qëndruan në Korfuz, se nga dy brigjet që janë pranë luginës, e cila arrin deri në ranishten ku është ngritur qyteti, njëra është plot me helenë, ndërsa tjetra ka shqiptarë. Këta bashkatdhetarë që zënë kaqë hapësirë të Heladhës, nuk vërshuan këtu kur ra Skënderbeu; gjithë ata fisnikë shqiptarë ikën në vende të largëta nga Turqia, sepse Greqia vetë ishte atëherë nën turkun, e pushtuar nga Muhameti II, ndër ata muaj që Skënderbeu qëndroi në Itali.
Po historitë e Mesjetës, a nuk shërbejnë për të kujtuar përhapjen e popullit tonë tutje nëpër Heladhë, e deri në Hidër e Poros? Por në kohën e Skënderbeut, qytetet Koronë, Modonë e Napoli të Moresë, ishin pothuajse shqiptare, siç dëshmojnë rapsoditë, që kanë lindur aty. Mjaft familje arbëreshe, që erdhën prej andej qëndrojnë në mes nesh. Kjo përzierje popujsh, që gjeti njerëz të shkuar prej këndej atje, ishte qysh prej kohëve të Platonit, i cili flet për këtë gjë. Dhe tash duket qartë se kjo gjendje mbeti edhe mbas ardhjes së helenëve, që zunë vendbanimet e mbajtura prej pellazgëve qëmoti, gjë për të cilën flasin deri gurët e asaj kohe. Dhe, meqenëse mandej shkrimtarët nuk i shënuan qartë popujt grekë sipas këtij ndryshimi racash, kemi një pështjellim të madh në mendjet tona. Në këtë mënyrë s’kemi gjë tjetër veçse emra fisesh që luftonin mes tyre ose bënin paqë e marrëveshje, në vend që [shkrimtarët] të njihnin shkakun e thellë të ndasive dhe të aleancave, që do të kish qenë drita sqaruese e asaj bote. Shkaku ishte, ndoshta, te popullsia e ndryshme, në të cilën e jona – sikurse e pandeh Benloew – ishte vendasem ndër ishujt e Egjeut e në brigjet e Azisë.
10 prill 1885 (Përshtatje në gjuhën e sotme nga dialekti arbëresh)
Marrë nga “Jeronim De Rada, Vepra historike dhe filologjike”, përkthyer prej italishtes, pajisur me një studim hyrës dhe me shënime e komente plotësuese nga Prof. dr. Jup Kastrati, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. /diasporashqiptare/ KultPlus.com