Tash e 500 vjet mrekullojnë italianët me kulturë shqiptare, Arbëreshët festojnë Pashkët (FOTO/VIDEO)

31 Mars, 2018 - 11:02 pm

KultPlusju sjellë fotografi të realizuara nga fotografi Mario Calivà në Horën e Arbëreshëve ku janë duke u mbajtur manifestime të ndryshme për të shënuar Pashkët.

Festimet për Pashkët nisin që më 25 mars dhe përfundojnë më 1 prill, të dielën e Shenjtë të Pashkëve ku mbahet mesha e celebruar nga peshkopi me ritualin e “tryezës së shenjtë”.

Një regjistrim i kohëve të fundit tregon se ka rreth 800 veshje në Horën e Arbëreshëve, 500 prej të cilëve vishen për Pashkë. Për të shënuar Pashkët, arbëreshët organizojnë parada pas të cilës jepet bekimi dhe shpërndahen vezët e kuqe.





Vezët e kuqe përfaqësojnë një traditë shekullore të Horës së Arbëreshëve dhe në përgjithësi të të gjitha komuniteteve lindore greko-bizantine dhe ritet ortodokse. Ato shprehin jetën, pjellorinë dhe Ringjalljen e Krishtit.

Hora e Arbëreshëve ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).



Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan.
Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëve është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.


Bashkia përdor në dokumentet zyrtare gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali./KultPlus.com

Të ngjajshme