Arbëreshët, promovuesit më të mirë të Shqipërisë

2 Maj, 2018 - 5:00 pm

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot rolin e arbëreshëve si promovuesit më të mirë të bukurive natyrore dhe të atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Meta ishte sot i pranishëm në veprimtarinë e zhvilluar në Muzeun e Krujës nga Shoqata arbëreshe nga Kalabria “Magna Grecia Off-Road”, që përkujton rrugëtimin historik të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nëpërmjet rikthimit nga Stambolli në kryeqendrën arbërore.

Kontributi i arbëreshëve, sipas Metës, është shumë i rëndësishëm edhe për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve Presidenti Meta theksoi se kemi një trinom të pandashëm: Skënderbe – Arbëreshë – dhe Shqipëri.

“Pa Skënderbeun nuk do të kishim pasur arbëreshë. Pa arbëreshët figurën e Skënderbeut mund ta kishim humbur, ose të na e kishin marrë të tjerët. Dhe jo vetëm kaq, por përmes arbëreshëve, figura e Skënderbeut u rikthye në këto troje për të frymëzuar Rilindjen Kombëtare, e cila solli edhe Pavarësinë e Shqipërisë. Por siç e kemi vënë re ka sjellë edhe Pavarësinë e Kosovës e shumë zhvillime të tjera të mbara për kombin tonë”, tha Meta.

Ne u jemi mirënjohës përjetësisht arbëreshëve, tha Presidenti, duke shtuar se ata në shekuj kanë ruajtur gjuhën, traditat, kulturën, ritet fetare, dashurinë për vendin e të parëve, dashurinë dhe adhurimin për figurën e Skënderbeut. Kontributi i tyre, sipas Presidentit, është i jashtëzakonshëm jo vetëm gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe në të gjitha momentet e tjera.

“Ky është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut. Pra është një vit që ne besojmë se do të sjellë edhe negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dhe këto nuk janë krejt të rastësishme, për arsye se identitetin tonë evropian në radhë të parë e ka vendosur dhe e ka përcaktuar Skënderbeu me historinë e tij të lavdishme, e cila na bën edhe sot krenarë”, shtoi ai.

Veprimtaria e emërtuar “Arbëreshët vijnë në ‘Rrugët e Skënderbeut” nisi me shfaqjen e filmit dokumentar “Arbëria e Kalabrisë”, ndërsa të pranishëm ishin edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Kalabri, Aldo Marino, nënkryetari i Bashkisë së Krujës Ilir Loci, Giussepe Russo presidenti i shoqatës arbëreshe “Magna Grecia Off-Road”, ish-deputeti, Namik Dokle dhe Irena Toçi drejtore e Institutit të Librit dhe Promocionit./ ATA/ KultPlus.com

Të ngjajshme