Arkeologët gjejnë fakte të reja në amfiteatrin e Durrësit

21 Tetor, 2023 - 10:15 pm

Një furrë qeramike që besohet se i përket Antikitetit të vonë është zbuluar në territorin e Amfiteatrit Antik të Durrësit, këto ditë tetori.

Me një planimetri rrethore, ky zbulim paraqet interes të veçantë pasi furra të kësaj natyre që përdoreshin për prodhimin e enëve qeramike konsiderohen të rralla edhe gjatë periudhës së perandorisë romake. Pranë furrës janë gjetur edhe artefakte të tjera interesante. Përveç fragmenteve qeramike, janë gjetur dhe fragmente qelqi që presin t’i nënshtrohen vlerësimit të ekspertëve për të përcaktuar llojin dhe kohën së cilës i përkasin.

“Nga pastrimet dhe gërmimet që kemi bërë kemi arritur të zbulojmë një furrë qeramike shumë interesante. Gjithashtu po bëjmë pastrim të zonës perëndimore dhe do të vazhdojmë të thellohemi më tej me gërmimet tona në drejtim të galerive të Amfiteatrit”, tha arkeologia Elvana Metalla.

Gërmimet në Amfiteatër kanë nisur sërish në kërkim të gjetjeve të reja dhe shtresëzimeve kohore të qytetit që është ndërtuar e rindërtuar gjithnjë mbi veten, duke dëshmuar një nga qytetërimet më të lashta buzë detit Adriatik.

“Është një bashkëpunim italo-shqiptar që vazhdon prej vitesh. Këtë herë jemi fokusuar në pjesën jugperëndimore të Amfiteatrit dhe po vazhdojmë gërmimet e ndërmarra nga vitet e kaluara”, shtoi Metalla.

Përveç këtij zbulimi, një mozaik i rrallë floreal, që i përket së njëjtës periudhë romake me ndërtimin e Amfiteatrit Antik, doli në dritë këtë muaj gjatë hapjes së themeleve për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në lagjen nr.1 të qytetit. Nëntoka e Durrësit e shpallur muze që në fillim të viteve ’60 ruan brenda saj pasuri të rralla arkeologjike, që dalin në pah sa herë që ndërhyhet në hapësirat urbane të Durrësit./Top Channel/ KultPlus.com

Të ngjajshme