Arkeologët zviceranë vizitojnë varret e Selcës

22 Gusht, 2022 - 4:00 pm

Këtë fundjavë arkeologët zviceranë të Universitetit të Bernës, të cilët në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë po zbatojnë projektin “Lin 3”, vizituan Varret Monumentale të Selcës së Poshtme.

Pasi u njoh me vlerat historike, kulturore dhe turistike të tyre nga Ledjan Zeqollari, drejtor i Turizmit, Trashëgimisë Kulturore dhe Rinisë pranë bashkisë Pogradec, drejtuesi i projektit Prof. Dr Martin Hinz, u shpreh se ky vend ka një potencial të jashtëzakonshëm arkeologjik.

Sipas tij, në të ardhmen, pasi të jetë bërë një studim gjeofizik i mirëfilltë, do t’i hapet rruga një projekti të gjerë kërkimor për të nxjerrë në pah atë çfarë ky vendbanim antik mbart.

Në Buqezë, pranë bregut të liqenit të Ohrit, është në proces studimi siti palafit “Lin 3”, në bashkëpunim me Universitetin e Bernës dhe me drejtues shkencor Adrian Anastasin. Mendohet që siti palafit “Lin 3”, të jetë një nga sitet më të mëdha në Ballkan.

Më herët, Akademia e Studimeve Albanologjike, ka pasur bashkëpunime me studiues zviceranë, duke bërë punë kërkimore e krahasuese mes vendbanimeve palafite të liqeneve të Zvicrës dhe atyre të liqenit të Ohrit./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme