Arkivat, 135 mijë fotografi origjinale

19 Gusht, 2022 - 11:25 am

Si sot, më 19 gusht 2010, u shpall Dita Botërore e Fotografisë.

Në këtë ditë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) përcolli revolucionarizimin e kryer në Fototekën që ka nën zotërim, përmes dixhitalizimit të shërbimeve të ofruara.

Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) është një njësi e krijuar me fotografi të mbledhura gjatë viteve që nga themelimi i AQSH-së, si edhe prej dhurimeve të ndryshme. Sot, kjo Fototekë numëron rreth 135.000 fotografi origjinale. Prej tyre, rreth 41.000 fotografi i përkasin veprimtarisë politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve dhe Shqipërisë deri në vitet 1944; rreth 43.000 fotografi i përkasin fondit të Insitutit Luce gjatë periudhës së pushtimit Italian, prej tyre 17.000 fotografi janë ekzemplarë tepër të rallë, ndërsa rreth 13.000 fotografi në negative(xham ose film).

Mbi 90 % e kategorive të lartpërmendura të fotografive janë dixhitalizuar dhe mund të aksesohen përmes platformës “Fototeka Online”. Fototeka, që deri pak vjetësh mund të aksesohej vetëm në Sallën e Studimit të DPA-së, është e dyta më e madhe në Shqipëri për fotografitë e periudhës përpara vitit 1944, pas fototekës Marubi.

Fototeka tashmë është online për të gjithë dhe është tepër e thjeshtë për t’u përdorur nga publiku përmes faqes fototeka.arkiva.gov.al/. Në këtë platformë, të gjithë të interesuarit jo vetëm që mund të shohin në format të dallueshëm fotografitë FALAS, por mund t’i blejnë ato automatikisht online, në rezolucion të lartë, duke kryer një pagesë minimale (100 lekë për fotografi). Po ashtu, platforma është interaktive, ku çdokush mund të sugjerojë elementet përshkruese të fotografisë që mund të mos njihen nga specialistët e fushës (si emrat e personave që shfaqen në të, vendet, relievin, përshkrimin, kohën e kryerjes), duke mundësuar një bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucionit dhe të gjithë të apasionuarëve pas historisë dhe fotografisë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme