23 Gusht, 2017 - 6:13 pm
Kompania e suksesshme e pejanëve të cilët veprojnë në Republikën Çeke “Art de Suisse”, e cila merret me shitjen e orëve luksoze dhe stolive të veçanta, ka shënuar edhe një sukses në rrugëtimin e tyre në njërin nga segmentet më të rëndësishme në tregun evropian.
Ata kanë hapur edhe një lokal në qendrën më luksoze të qytetit turistik dhe të kulturës Karlovy Vary, respektivisht ky është dyqani i katërt që e kanë në zotërim familja Sahatçiu.
Në një natë magjike, me pritje madhështore dhe ambient glamuroz, ka startuar më punë lokali i radhës i kompanisë “Art de Suisse”, produktet e së cilës fillojnë nga orët, stolitë e deri të diamantët me vlera marramendëse.
Familja Sahatçiu, e cila në rrjetin e lokaleve të saj ofron markat më kulmore të orëve dhe stolive si Breguet, Hublot, Bovet, Zenith, Graff, Bvlgari, ka klientë njerëzit më të pasur të botës.
Ndryshe, në vitin 1865, një familje shqiptare në Pejë, nis një biznes të rrallë për atë kohë: tregtinë me orë dhe riparimin e tyre. Kjo familje dhe kjo traditë e veçantë, sot është shembull pozitiv për tregun çek.
Bajram Sahatçiu, me tre djemtë e tij, Samiun, Naimin dhe Agonin janë bërë temë e mediave botërore.
“Art de Suisse” është kompania e këtyre pejanëve që ecin me kohën, e që me suksesin e tyre më mirë se kushdo tjetër kanë zbërthyet kuptimin e mbiemrit të tyre.
“Mbiemri ynë do të thotë ‘orëtar’”, kishte thënë Agon Sahatçiu për European Buseness, që ka shkruar për traditën 150-vjeçare të kësaj familjeje në tregun e orëve e stolive, dhe faktin se “Art de Suisse” ka marrë përsipër barrën që artin e orëve dhe stolive ta sjell edhe në shtetin çek, shkruan Telegrafi.
Kjo kompani e njohur tash ka operuar me tri lokale luksoze, ndërsa tash ka filluar edhe me të katërtin qytetin e turizmit dhe kulturës Karlovy Vary.
“Art de Suisse” e Sahatçinjve, ambasadorëve të suksesit, ndjek përherë trendët e rinj dhe kërkesat e tregut. Falë traditës dhe përkushtimit, kjo kompani shquhet për besueshmërinë e madhe tek klientët, qofshin vendorë apo turistë të shumë në Çeki. Kjo përvojë do të pasqyrohet edhe në Karlovy Vary. / KultPlus.com