11 Qershor, 2019 - 10:15 pm
Në kuadër të edicionit të shtatë të FemArt është mbajtur paneli i radhës lidhur me influencën e medieve në ngritjen e zërit të çështjeve të rëndësishme shoqërore, veçanërisht mbi rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Përballë hulumtueses dhe njëherit moderatores së këtij paneli, Donika Emini, kanë qenë artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha, drejtoresha e platformës kulturore KultPlus, Ardianë Pajaziti dhe fotoreporterja, Ramize Murtezi-Shala nga RTK dhe Valerie Plesch, gazetare e pavarur.
Ky ka qenë paneli i fundit i ditës, por jo më pak i rëndësishëm se të tjerët duke parë që mediet dhe arti janë gjithmonë në frontin e parë në luftën kundër stigmatizmit dhe kunder keqinformimit propagandistik nga politika.
Në fjalën hyrëse të këtij paneli Emini i ka falënderuar pjesëmarrëset që kanë përdorur forcën dhe pozicionin e tyre për të gjetur hapësirën për të diskutuar dhe për të luftuar në krah të viktimave të luftës së Kosovës, qofshin ato viktima seksuale apo viktima të tjera.
Artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha ka filluar fjalimin e saj duke cituar një anëtar të Parlamentit të Kosovës i cili kishte thënë ‘këto gra janë turpi i Kosovës’ gjë që thotë se ka qenë motivimi i saj për t’u marrë me këto cështje. Ajo gjithashtu ka qenë ideatorja e ekspozitës që hapi edicionin e shtatë të FemArt. Hoxha ka shtuar që për të muzika, prej një pasioni është kthyer në një mision për t’i ndihmuar gratë e dhunuara. Pavarësisht ngadalësisë së proceseve të drejtësisë, ajo ka thënë që fakti se kjo temë po flitet në festivalin e vetëm feminist në rajon do të thotë që kjo temë po pranohet nga shoqëria dhe të gjithë ne po iu dalim në krahë grave të prekura nga kjo padrejtësi. Hoxha ka falenderuar Vasfije Krasniqin që është bërë fytyra e kësaj lëvizjeje të ndjeshme që ka prekur një numër të madh të grave.
Ideve të zonjës Hoxha i është bashkuar edhe gazetarja Ramize Murtezi Shala, gruaja që ka arritur ta sjellë para publikut historinë e dhimbshme të Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka shtuar që të gjitha rastet e dhunës hasin në rezistencë në insitucionet e drejtësisë. Ajo ka treguar që ka pasur raste, që përmes dokumentarëve, të njohë raste të shumëta të dhunës brenda familjes, gjë që sipas saj është pritur me indiferencë nga publiku. Ajo ka treguar në detaje për intervisten e saj me Vasfije Krasniqin duke thënë që problemi më i madh i gazetarisë në Kosovë është që të gjendet qasja më e mirë që të prezantohen temat e ndjeshme si dhuna seksuale gjatë luftes dhe pas saj. Ajo e ka fajësuar stigmatizimin në mungesën e rrëfimeve si ai i zonjës Vasfije. Ajo thotë se në raste të tilla viktimave iu fshehet fytyra e zëri dhe kjo bën që historia të mos ketë efekt te publiku apo te dëgjuesit.
Fjalës së Ramize Murtezi Shala i është bashkangjitur edhe Ardianë Pajaziti e cila ka treguar se si e kanë pritur mediet një lajm të tillë. Ajo ka theksuar që mediet kanë një rol shumë të madh në plasimin e rasteve të tilla dhe ka kërkuar që të bëhemi më të sinqertë, duke parë që mediet nuk e kanë pasur vullnetin e duhur që të bëjnë diçka humane, por duke parë interesat. Pajaziti ka treguar punën që ka bërë mediumi i saj në serinë e rrëfimeve që ka publikuar, duke thënë që ajo dhe i gjithë mediumi kanë vërtetuar se shoqëria e jonë nuk është e gatshme të qëndrojë gjatë me dhimbjen. Ajo ka shtuar që shqiptarët janë një popull euforik dhe nuk kanë interes të gjatë për një temë, edhe kur është një temë e ndjeshme si kjo. Ajo e ka falenderuar zonjen Vasfije Krasniqin për dëshminë e saj, por ka potencuar përsëri që mediet nuk kanë bërë shumë për tu interesuar që të bëjnë presion medial për të kërkuar drejtësinë për Vasfije Krasniqin, pos asaj, publikimin e rrëfimit të saj.
Ndërkohë fotoreporterja Valerie Plesch ka treguar se si ka arritur që ta bëjë edhe popullin amerikan të interesohet me çështjet e dhunimit të grave duke i bërë këto histori relevante për qytetarët e atyshëm. Gjatë gjithë këtij paneli zonjat kanë provuar të sqarojnë për publikun që historia e Vasfije Krasniqit ka qenë e publikuar në shumë mediume, përfshirë këtu edhe prestigjozen the Guardian, por historia e saj ka bërë bujë vetëm kur është vizualizuar në intervistën frymëmarrëse me gazetaren Ramize Murtezi Shala./RronaJaka/KultPlus.com