Artizanati shqiptar po pushton botën, maskat veneciane nga Shkodra në Hollywood

20 Shkurt, 2025 - 1:00 pm

Artizanati shqiptar po pushton botën, falë mjeshtërve shkodranë që krijojnë maska veneciane të cilat udhëtojnë nga Shkodra drejt Venecia-s, Rio de Janeiro dhe deri në Hollywood.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi në një postim në rrjetet sociale se këto maska, të punuara me dorë sipas traditave të hershme, mbajnë gjallë një trashëgimi të vyer dhe përfaqësojnë mjeshtërinë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

“Nga duart e mjeshtërve shkodranë, maskat veneciane të ‘Venice Art Mask Factory’ udhëtojnë nga Shkodra drejt Venecia-s, Rio de Janeiro-s dhe deri në Hollywood, duke rrëfyer një histori suksesi dhe pasioni për artin e maskave”, shkruan Gonxhja.

“Këto vepra mjeshtërore, të punuara me dorë sipas traditave të hershme, nuk janë thjesht maska – ato mbajnë gjallë një trashëgimi unike, ku mjeshtëria shqiptare takon elegancën e skenës ndërkombëtare”, vijon Gonxhja.

Sipas Ministrit, ky është një shembull frymëzues i fuqisë së artizanatit dhe shpirtit krijues shqiptar./ KultPlus.com

Të ngjajshme