17 Mars, 2018 - 4:34 pm
Mbrëmë janë larguar flamujt në sheshin “Zahir Pajaziti”. Për këtë rast Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona dhe ka sqaruar se njësitet policore kanë shoqëruar tre persona, E.A 1995,L.H 1987 dhe J.SH 1995 si të dyshuar për këtë incident.
Ndërkaq, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje Egzon Azemi ka njoftuar se është njëri prej tyre që ka larguar këta flamuj.
Ka thënë se veprimi i tyre ka qenë i pakoordinuar me Lëvizjen, por se ishte protestë ndaj imponimit të flamurit tek shtatoret e dëshmorëve.
Azemi ka shkruar se nuk janë kundër asnjë flamuri, por “kurrë s’do lejojmë përdhosjen e flamurit kombëtar”.
Postimi i plotë i Azemit në Facebook:
Po, dje i kemi larguar flamujt e imponuar nga shtatorja e dëshmorit “Zahir Pajaziti”.
Ky veprim ka qenë i pakoordinuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, mirëpo në shenjë proteste ndaj imponimit të flamurit tek shtatoret e dëshmorëve i larguam ata.
Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë dhanë jetën për flamurin kombëtar, andaj nuk është turp pse ne i hoqëm flamujt e Ahtisaarit, por turp është që institucionet tona po tentojnë që edhe dëshmorëve të u’a largojnë flamurin kuq e zi, se nga çdo institucion e kanë larguar tash e sa kohë.
Vendosni flamujt e imponuar sa të doni e ku të doni por jo mbi flamujt kombëtar, jo duke na zhveshur historinë të tentoni të krijoni komb artificial.
Ne s’jemi kundër asnjë flamuri, por kurrë s’do lejojmë përdhosjen e flamurit kombëtar. Për flamurin kuq e zi janë burguosur e madje edhe janë vrarë shumë veprimtarë, por ky flamur ka qëndruar e do qëndroj.
Ne e larguam flamurin kaltër e verdhë sepse kërkojmë që tek shtatorja e heroit “Zahir Pajaziti” të vendosët flamuri kombëtar.
Kjo ishte e vetmja rrugë, sepse te institucionet tona fjalët nuk bëjnë punë!