26 Nëntor, 2019 - 8:54 pm
Pak minuta pas orës 9:00 në mëngjesin e së martës, ekskavatori filloi me gërmimet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Hapësira që zakonisht shfrytëzohet për parking nga stafi i Fakultetit të Arteve, u gërmua me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet se aty, gjatë kohës së luftës, ishin varrosur trupa njerëzish, raporton KTV.
Punimet ngjallën interesin edhe të studentëve të Fakultetit të Arteve, ndër ta edhe të Leonitës, 18-vjeçare.
Ajo as nuk ishte e lindur në kohën kur supozohet të jetë tentuar të fshihen krimet në këtë pjesë, prillin e vitit 1999, por, pavarësisht kësaj, ngjarja i duket e një rëndësie të veçantë.
Edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, thotë se studentët, pavarësisht se nuk është gjë e këndshme, duhet të ballafaqohen me ngjarje të tilla.
Gërmimet kanë përfunduar afër orës 16:00, pa ndonjë rezultat në lokacionin e parë.
Me ekipet e mjekësisë ligjore dhe zyrtarë të tjerë, gjatë tërë ditës, ka qëndruar edhe Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit për çështjen e pagjeturve, që ka ngritur sërish çështjen e mosbashkëpunimit nga shteti i Serbisë për këtë temë.
Gërmimet pritet që të vazhdojnë edhe të mërkurën në lokacionin e dytë të shënjuar, pak metra larg të parit.