Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës: E mbështesim në plotni restaurimin e ndërtesës “Shtëpia e Xhafer Devës”

10 Shkurt, 2022 - 2:55 pm

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka dalë me një reagim publik, nëpërmjet të cilit mbështesin restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, nismë kjo e MKRS-së, por restaurim që u kundërshtua nga BE dhe UNDP. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Asociacionit të Arkitekturës së Kosovës.

ASOCIACIONI I ARKITEKTËVE TË KOSOVËS, duke ndjekur zhvillimet e fundit në lidhje me projektin e restaurimit të ndërtesës “shtëpia e Xhafer Devës” në Mitrovicë, dhe “dilemave” tashmë të krijuara në opinionin publik, se a duhet apo jo, një intervenim i tillë restaurues, reagon si më poshtë:

ASOCIACIONI I ARKITEKTËVE TË KOSOVËS e mbështetë në plotni restaurimin e ndërtesës “shtëpia e Xhafer DEVËS”, me Nr.702, sipas Regjistrit të Trashëgimisë Kulturore, dhe me Nr. unik-453.

Veprat arkitektonike – artistike, qofshin ato objekte, komplekse apo edhe vetëm pjesë të caktuara, të cilat shprehin në vete vlera unike dhe cilësi të krijuara në kohë dhe hapësirë në fushën e arkitekturës, trashëgimisë urbane dhe ndërtimit vernakular, janë në obligimin e çdo gjenerate që ti ruajë, mirëmbajë dhe si të tilla ti lë si trashëgimi për kohërat e brezat që do vijnë, si dëshmi mbi artin e të ndërtuarit – arkitekturën që objektet e caktuara e prezentojnë për kohën kur janë ndërtuar dhe kontekstin aktual.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosoves, në kuadër të debatit që po mbizotëron këto ditë, jo vetëm në komunitetin profesional, e që realisht ishte dashtë të ishte i tillë, por mbi të gjitha në diskursin publik, i ngritur me ose pa të drejtë, me pyetjen, se a duhet të restaurohet shtëpia e Xhafer Devës, apo jo, ndanë këtë mendim:

Objekti në fjalë, në radhë të parë, paraqet vlerë të pakontestueshme arkitektonike, nga stili i përdorur në fasadat e tij, e deri te detajet dhe koncepti projektues, unik pothuajse për trevën ku u ndërtua, marrë për bazë kohën dhe rrethanat e ndërtimit. Si i tillë, ky objekt, përmbushë kushtin themelor, dhe jo të vetëm, porse për nga baza e parimeve restauruese, i bollshëm në arsyetim, se një objekt i tillë, padyshim që duhet ruajtur dhe restauruar dhe si i tillë, me sa ma shumë autenticitet, të i shtohet fondit të aseteve të trashëgimisë kulturore-arkitektonike të Kosovës dhe me gjerë. Do të ishte i pafalshëm, qëndrimi indiferent ndaj një vlere të tillë, dhe nuk arsyetohet nga asnje tezë, çfarëdo qoftë ajo, qe mund të krijoj dilemë të tillë.

Ne si komunitet i organizuar i arkitektëve në Republikën e Kosovës, nuk mëtojmë, e as që na duket me rëndësi kruciale, lidhja e objektit me fatin apo pozitën shoqërore dhe politike të atyre të cilët mund ta kenë ndërtuar, investuar apo pronësuar. Për ne, mbizotëron vlera arkitektonike, e cila qet në plan të dytë, çdo subjektivizim tjetër, pasiqë ato pjesë duhet të trajtohet dhe të analizohen nga ekspert dhe komunitetet shkencore të cilat kanë për synim ndriqimin e figurave dhe rolit te tyre në historinë e shoqëris sonë. Në aspektin profesional, krijojm ndarje të qartë, objektin si vlerë e pamohueshme arkitektonike, nga pronari, poseduesi apo çfarëdo adresimi tjetër. Tek e fundit, praktikat e shumta nëpër botë, na tregojn se objektet që sot ruhen dhe janë pjesë zyrtare e listës së trashëgimisë botërore, kanë historira nga më të ndryshmet, porse ruajtja e tyre, arrit që të mbaje gjallë nëpër shekuj memorien kolektive, mbi të cilën ndërtohet narrativa e prejardhjes apo qellimit se pse u projektuan apo ndërtuan si të tilla.

Asociacioni i Arkitektëve te Kosoves, inkurajon implementimin e projektit restaurues, të inicuar këto ditë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare . Objekti në fjalë, plotëson të gjitha kriteret profesionale se duhet mbrojtur dhe trajtuar, dhe se qëndrimi indiferent dhe mohues ndaj kësaj vlere, do të ishte goditje direkte në përpjekjet globale dhe lokale, që e kaluara e ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, të na perbashkoj në vlerësim dhe inkurajim për një botë më të mire dhe më me vlera.

Sikurse në gjinitë tjera të artit, poashtu edhe në arkitekturë, vlenë maksima, vepra flet vet, asaj nuk i duhet asgjë më shumë, se sa bukuria që ka.

Në përfundim të këtij reagimi publikë, ne si Asociacion e Arkitektëve të Kosovës, bëjmë thirrje, që vlerësimet për rastet tilla, duhet të bëhen nga profesionistët e fushës, e në asnjë mënyre nga dikush tjetër, pasiqe objektet me vlera arkitektonike dhe të trashëgimisë kulturore, shquhen për atë që prezentojnë si art i të ndërtuarit, e më pas vjen dhe dimensioni historikë. Ndërtesës “shtëpia e Xhafer DEVËS”,mund dhe duhet që pas një restaurimi adekuatë, t’i kthehet në shfrytëzim komunitetit të qytetit të Mitrovicës dhe me gjerë si një qendër apo objekt kulture, ku do të promovoj vlera dhe në të mund të zhvillohen ngjarje kulturore që fisnikërojnë dhe më shumë shoqërinë tonë.

Prishtinë, dt. 10.02.2022 Asociacioni i Arkitektëve të Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme