11 Shtator, 2018 - 10:00 am
15 profesionistë të rinj në fushën e trashëgimisë kulturore nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës ishin sot pjesë e ditës së parë të punës në Atelienë e Restaurimit, që po zhvillohet në Kishën e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë.
Instituti i Monumenteve të Kulturës bëri të ditur se “gjatë ditës së sotme puna nisi me instruktimin paraprak mbi sigurimin teknik dhe masat e nevojshme në kantier”.
Në Atelienë e Restaurimit 15 pjesëmarrësit nga Europa dhe Shqipëria, së bashku me mjeshtrat e DRTK Berat, që po përcjellin përvojën e tyre të shumë viteve, nën kujdesin e stafit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, filluan punën për restaurimin e kësaj kishe.
Kisha e Shën Sergjit dhe e Bakut, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është atraksion turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.
Atelieja dyjavore e restaurimit organizohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me organizatën European Heritage Volunteers, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, GIZ Shqipëri, si dhe bashkinë Himarë./ata