5 Dhjetor, 2018 - 3:33 pm
Historiani Kastriot Dervishi në një shkrim të fundit ka publikuar një dokument të vitit 1944, të Luftës së Dytë Botërore.
Dervishi shkruan se ky dokument i është marrë pas vdekjes Dhimitër Fallos, letër e cila tregon se Balli Kombëtar kishte shkëmbyer informacione me qeverinë Greke.
“Dokumenti që kihet parasysh, por nuk lexohet është ai që iu gjet Fallos pas vrasjes, i datës 10.5.1944. Po Mid’hat Frashëri ka lëshuar një autorizimit të posaçëm për Fallon të datës 11.5.1944, në të cilën thuhet se mund të nënshkruante në emër të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Në asnjë pikë të letrës drejtuar Fallos nuk del që Shqipëria të jetë trajtuar “provincë”, apo të humbë sovranitetin e saj. Në asnjë pikë nuk është hequr dorë nga Kosova, por është parashikuar që Greqia do merrte detyrimin për të mbështetur këto pretendime të Shqipërisë.
Mid’hat Frashëri nuk ka qenë personi kryesor nga grupi që po bisedohej. Madje ai nuk ishte as në dijeni të faktit se Kostaq (Koço) Kotta nuk përfaqësonte asnjë palë në bisedime, por ishte si privat e dëgjues. Po ashtu është si përfaqësues i Kosovës, Selman Riza, Xhavit Leskoviku (personi kryesor i qeverisë shqiptare) dhe Koço Tasi (që do ishte delegati tjetër i Ballit Kombëtar). Kryenogociatori Xhavit Leskoviku e ka sqaruar mirë gjithë historinë e bisedimeve në gjyqin special në mënyrë publike (në vijim më shumë info për të)”, shkruan ndër të tjera Dervishi.
Më tej Dervishi polemizon dhe me historianin Pëllumb Xhufi, ku shkruan se “Ndryshe nga ç’thotë z.Xhufi, Mid’hat Frashëri ka synuar që të bëjë palën greke për të luftuar në konferencën e paqes në mënyrë që Kosova dhe viset e tjera t’i bashkoheshin Shqipërisë. Kjo sepse kufijtë nuk caktohen nga marrëveshje partish, por në konferenca të rangut ndërkombëtar me pjesëmarrjen e fuqive”.