23 Nëntor, 2017 - 5:42 pm
Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit, në librin “Ecje nëpër kujtesë – Tregime jete të grave me karrierë” flet për lindjen e vështirë të babait të saj. Në bashkëbisedim me Sanije Gashin, Hajrija tregon për Bajram Currin, burrin që kurrë nuk do ti bjerë në dorë armikut, burrin që lindi në rrugë.
Po e sjellim këtu një pjesë nga libri :
Ishin kohë nën okupimin osman, viti 1862. Shaqir Currit, të atit të Bajramit, që ishte një kundërshtar i rreptë i regjimit turk, pas një ‘konflikti’, meqë zaptijet nuk po mund ta shtinin në dorë, ia marrin gruan, shtatzënë.
Hajria rrëfen:
“Babai im ka lindur në karrocë druri, në kohën kur gjyshen time, të shoqëruar nga gruaja e axhës, po e internonin, nga Gjakova në Prizren. Gjyshja, që ishte në ditë të vetë, lind në rrugë, te Krusha e Madhe. Një familje fisnike nga ky fshat, i vijnë e i sjellin tesha, për ta mbështjellë bebe. Kishte qenë ditë bajrami, prandaj edhe, siç thuhet, kishte lindur me emër – Bajram”.
Të ëmën, bashkë me foshnjën i mbajnë për 6 muaj në internim në Prizren, prej nga Bajrami del foshnjë 6 muajshe. Kjo edhe është arsyeja pse Bajrami betohet që kurrë më, përjetë, nuk do të bjerë në dorë të armikut! Prandaj, tregon Hajria, kur Bajrami dilte nga shtëpia, gjithherë i mbante dy revole në brez, ndërsa kur e shoqja Ajkuna po e pyeste – Po pse, more burrë, me dy?, ai përgjigjej shkurt:
Një për vete e një për armikun! C`thua ti, t’u bie unë në dorë armiqve! Jo kurrë! Dhe mbajeni mend, nëse më gjeni me plumb në ballë, ta dini….! rrëfen e bija.
—-
Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912. / KultPlus.com