Banesa e Angonatëve, ndërhyrje për sigurimin e qëndrueshmërisë së objektit

17 Shkurt, 2025 - 9:00 pm

Banesa e Angonatëve, një nga banesat më karakteristike të qytetit të Gjirokastrës dhe Monument Kulture i Kategorisë së Parë, pasqyron mjeshtërinë e ndërtimit me gur dhe ndikimet arkitekturore të fundit të shekullit XIX.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se në kuadër të projektit të restaurimit dhe konsolidimit të banesës së Angonatëve, do të kryhen ndërhyrje të cilat synojnë sigurimin e qëndrueshmërisë së objektit.

Ministri informoi se po ashtu do të bëhet edhe ruajtja dhe restaurimi i elementëve tradicionale, për të mos lejuar rrënimin e mëtejshëm, si dhe për të ruajtur elementët e trashëgimisë kulturore që ajo mbart.

Banesa e Angonatëve, e ndërtuar në vitin 1881, ndodhet në qendër të zonës historike të Gjirokastrës, në një vend mjaft dominues.

Ky kompleks është ndër shembujt më të mirë që tregojnë zhvillimin e banesës gjirokastrite dhe aftësinë e saj për t’iu përshtatur kushteve të jetesës.

Banesa është e ndërtuar me mure guri shtresor. Dhomat janë të pajisura me tavane dekorativë dhe mjaft elementë të tjerë dekorativë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme