Bashkia Lezhë shpall konkursin për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në qendër të qytetit

6 Shtator, 2018 - 8:35 pm

Në kuadrin e “Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit”, Bashkia Lezhë me iniciativën personale të vetë Kryetarit Fran Frrokaj, ka planifikuar që në zemrën e qytetit, në Sheshin “Gjergj Kastrioti” të vendosë një shtatore monumentale të Heroit tonë Kombëtar.

Pikërisht këtu në qytetin e Lezhës u zhvilluan edhe dy ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës i mbajtur me 2 mars 1444 në ambientet e katedrales mesjetare të Shën Nikollit dhe 24 vite më vonë me 17 janar 1468 këtu kaloi në përjetësi dhe më pas u përcoll në banesën e tij të fundit, i pavdekshmi Gjergj Kastrioti.

Sot, gati në çdo qytet të Republikës së Shqipërisë dhe në trevat e mbetura jashtë saj në vitin 1912, ekziston një monument i Heroit tonë Kombëtar. Gjithashtu, pothuajse çdo kryeqytet europian dhe disa qytete të rëndësishme në vendet perëndimore e kanë nga një objekt të tillë me forma dhe përmasa nga më të ndryshmet, por ajo që e meriton me shumë se kushdo tjetër në Shqipëri dhe në botën e qytetëruar, e që fatkeqësisht i mungon, është pikërisht Lezha e Besëlidhjes, Lezha e Gjergj Kastriotit, vendi ku nisi dhe ky u mbyll “Epopeja e lavdishme Kastriotiane”.

Prandajë ftohen të gjithë skulptorët shqiptarë dhe të huaj, kudo ku ata jetojnë e punojnë duke ushtruar aktivitetin e tyre, që të marrin pjesë me modelet/bocetet e tyre në konkursin që do të organizohet nga Bashkia Lezhë me 26.09.2018, në ora 10:00, tek salla e madhe e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, Lezhë.

Shtatorja monumentale e Gjergj Kastriotit e planifikuar për t’u derdhur në bronz do të ketë këto përmasa: lartësia 3.5 m dhe ndërsa piedestali i stilizuar i punuar me gurë, me lartësi 1.8 m. Pra në total objekti monumental duhet të qëndrojë në mënyrë impozante dhe të ketë lartësinë e duhur prej 5.3 m, për të dominuar mbi sheshin “Gjergj Kastrioti” dhe për të qenë lehtësisht i dallueshëm në të gjithë hapësirën muzeale të qytetit tonë.

Subjekti i veprës duhet të bazohet tek “Besëlidhja e Lezhës” dhe figura e realizuar në këtë shtatore, më e lartë se sa figura normale njerëzore, duhet të mishëroje tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe duhet të ruajë në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës.

Portreti i përjetësuar në bronz duhet të paraqesë një Gjergj Kastriot në moshën 39 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra aq sa ishte kur thirri dhe organizoi Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, por jo një portret i një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij të shenjtë në pikturat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Portreti fizik duhet t’i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve surreale, abstrakte dhe të bastardhuara deri në kufijtë e groteskut dhe shëmtisë ekstreme artistike.

Vepra duhet të mishërojë portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit, të nxjerrë në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike(politika e kohës kur jetoi), historike dhe kalorsiake.etj. Ne kërkojmë një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteve në vazhdim, të kthehet në një “Simbol apo Emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar si “Qyteti i pavdekshëm, Lezha e Besëlidhjes dhe Lezha e Gjergj Kastriotit”, thuhet në komunikatë./KultPlus.com

Të ngjajshme