17 Dhjetor, 2018 - 3:35 pm
Mbaheshin dorë për dorë 60 vjet dhe u larguan nga kjo botë brenda pak orësh. Fjala është për 83 vjeçarin Ed Hale dhe gruan e tij 82 vjeçare, Floreen.
Të dy u njohën në një festë. Marrëdhënia e tyre, megjithatë, kishte vështirësi në fillim, pasi kur Ed kërkoi të martohej me të, prindërit e saj refuzuan. Ishte përfshirë në një aksident trafiku, ku burri i saj i parë kishte humbur jetën, kurse ajo ishte plagosur rëndë.
“Nuk më intereson, edhe nëse do duhet ta ngre me duart e mia çdo ditë të jetës sime”, iu përgjigj ai, për t’i dhënë pëlqimin e tyre. Jetuan në shtëpinë, të cilën e kishte planifikuar ai, dhe atje rritën dy fëmijët e tyre, Renee dhe Ricky. Çdo ditë i sillte një “ëmbëlsirë” nga dyqani ku punonte, ndërsa kujdesej për të, i gatuante dhe bënte çdo gjë që mundej, për të zbukuruar çdo moment të saj.
Të njohurit e tyre e quanin “Shenjti Ed”, vetëm për atë që bënte për të, madje edhe përpara se t’ia kërkonte. Pesë vjet më parë, shëndeti i tij filloi të tronditej, pasi vuante nga diabeti dhe kishte probleme me zemrën dhe veshkat. Por kjo nuk e ndaloi që të kujdeset për të dashurën e tij dhe t’i gatuajë për më të shumtën e ditëve.
“Zemra e tij ishte aq e fortë. I njëjtë është vullneti i tij për jetën. Luftonte me problemet e tij shëndetësore, për të… sepse nuk donte ta humbiste”, tha vajza e tyre Renee. Kur u sëmurën të dy, njëri nga veshkat dhe ajo nga problemet e zemrës, familja u gjend në dilemë, cili spital mund të siguronte për ta kujdesin më të mirë shëndetësor. U trajtuan në spitale të ndryshe. Në agimin e 6 shkurtit, 83 vjeçari kërkoi të shihte gruan e tij. Zyrtarët e dy spitaleve bënë çmos për të qenë të dy së bashku. E çuan me një ambulancë për ta parë, dhe bashkuan shtretërit e tyre në mënyrë që të mbanin dorën e njëri-tjetrit. Si përfundim, ajo “iku” më 7 shkurt, 2014 nga sulmi në zemër dhe ai, duke mos duruar mungesën e saj, u “shua” në pasditen e të nesërmes.
“Ishte zotëri deri në fund. E priti që ajo të largohej e para, “tha vajza e tyre. Dhe ashtu si jetuan së bashku, kështu u larguan për udhëtimin e tyre të fundit. Funerali i tyre u krye i përbashkët dhe u bë një ditë para Ditës së Shën Valentinit. Ngjarje Nga Historia Botërore. /KultPlus.com