Bazilika Paleokristiane e Linit, aty ku vizitorët takohen me historinë

28 Mars, 2025 - 2:00 pm

Mes mozaikëve dhe pamjes mbresëlënëse të liqenit të Ohrit, gjendet Bazilika Paleokristiane e Linit, një nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore.

E shkuara dhe e tashmja bashkohen në këtë vend unik, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për vizitorë vendas dhe të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi foto nga ky monument kulture, ku duket se po frekuentohet nga vizitorë të shumtë, të cilët na kujtojnë se tashmë kemi të bëjmë me një turizëm gjithëvjetor.

Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit.

Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah.  Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.

Ajo përbëhej nga 7 ambiente gjithsej, dyshemetë e të cilave ishin zbukuruar që të gjitha me mozaikë. Bazilika, së bashku me ambientet që e rrethonin atë, ishte ndërtuar për herë të parë në shek. VI pas Krishtit si rezidencë verore e peshkopëve të Lyhnidit (Ohri i sotëm).

Gërmimet kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, që përkon me pushtimin e zonës nga bullgarët, bazilika duhet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas djegies ajo nuk është rindërtuar më./ KultPlus.com

Të ngjajshme